Tre ndeshjet e Kategorisë së Parë, të vlefshme për javën e 17-të, prodhuan spektakël dhe emocione të mëdha.

Flamurtari mposhti minimalisht Valbonën në transfertë, falë një goli të shënuar nga Vasil Shkurtaj në minutën e 96-të. Me këtë triumf, vlonjatët mbajnë vendin e dytë me 39 pikë, ndërsa tropojanët renditen në vendin e parafundit me vetëm 11 pikë.

Korabi mori fitore jetike, pasi mposhti Kukësin me rezultatin 2-1. Sukses i rëndësishëm për dibranët, që renditen në vendin e 10-të me 16 pikë, 1 më pak se Kukësi i vendit të tetë.

Burreli konfirmoi momentin e mirë, duke mposhtur 0-1 Lushnjën në transfertë, falë golit të Arango. Matjanët blindojnë vendin e katërt me 30 pikë, ndërsa lagunarët mbajnë vendin e shtatë me 21 pikë. /tvklan.al