Katër fakultete të Universitetit të Tiranës, ai Ekonomik, Juridik, Shkencat Sociale dhe gjuhët e huaja kanë shpallur studentet fitues për vitin e ri akademik. Të tjerët do t’i publikojnë pas tre ditësh. Renditja e pikëve ku aplikantët figurojnë me numër identifikimi dhe jo me emër është publikuar në faqen e internetit të secilit prej fakulteteve ku bie në sy mesatarja e lartë e studentëve.
Regjistrimi i studentëve nis me 29 gusht dhe raundi i parë përbëhet nga shtatë faza 48 orëshe. Dekanët i bëjnë apel studentëve të ndjekin me korrektesë çdo lëvizje të vizës së kuqe dhe të mos dekurajohen edhe nëse nuk rezultojnë fitues që në fazën e parë pasi mundësitë për çeljen e vendeve të lira janë të mëdha.
Ndryshe nga viti i shkuar kandidate për studentë këtë vit kanë të drejtë të çregjistrohen. Data e vetme është 12 shtatori. Dekanët këshillojnë që përpara ndërmarrjes së një veprimi të tillë studentët të ballafaqojnë pikët e tyre me fituesit e tjerë në degët ku dëshirojnë të regjistrohen. Tv Klan