Një 64 vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Kavajë pasi ka plagosur me thikë dhëndrin e tij. Fatmirësisht ky i fundit ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive familjare, ku fillimisht 46 vjeçari është zënë me të shoqen e më pas ka ndërhyrë vjehrri.
“Plagosi me mjet prerës dhëndrin e tij, shoqërohet në Polici 64-vjeçari, autor i dyshuar i plagosjes. Rreth orës 17:00, në Spitalin Rajonal Durrës, ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi L. D., 46 vjeç, banues në lagjen nr.3, Kavajë, i plagosur me mjet prerës (thikë), jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në spital dhe në vendin ku ka ndodhur ngjarja (në banesën e shtetasit L. D) dhe, falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta, kanë bërë shoqërimin e vjehrrit të 46-vjeçarit, shtetasin P. D., 64 vjeç.
Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shtetasi P. D., e ka plagosur me mjet prerës (thikë) dhëndrin e tij për motive familjare, pasi 46-vjeçarit fillimisht është konfliktuar me bashkëshorten e tij e më pas dyshohet se ka ndërhyrë vjehrri për të ndihmuar vajzën e tij, ku gjatë këtij konflikti ky i fundit e ka plagosur me thikë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të gatshëm, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit”, thotë Policia./tvklan.al