Juventusi kërkon “hakmarrjen” ndaj Milanit. Pak ditë pas fitores së kuqezinjve në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë, dy ekipet do të përballen mes tyre në kampionat.

Në prag të kësaj sfide, trajneri i bardhezinjve, Thiago Motta deklaroi se ekipi i tij futet në fushë vetëm për të marrë fitoren.

Sipas tij, ekipi nuk është i kënaqur me rezultatet, pasi synimi është të jenë në krye të renditjes.  

“Ne duam të qëndrojmë në zonën e Champions-it. Kemi një mundësi të madhe ndaj një kundërshtari të vështirë siç është Milani. Ne do të kërkojmë fitoren me çdo kusht. Nga minuta e parë do të futemi me qëllim për të marrë 3 pikët.

Nuk jemi të kënaqur me rezultatet që kemi arritur deri tani. Ne duam të jemi në krye dhe po punojmë çdo ditë për këtë. Në stadiumin tonë luajmë vetëm për fitore. Jemi gati për të luajtur një ndeshje të madhe.

Cambiaso do të luajë nga fillimi ndaj Milanit. Për Kolo Muani, jemi në pritje të dokumenteve, nëse zgjidhet që nesër, do të jetë me grupin, në të kundërt do të presë ndeshjen tjetër. Unë pres gjithçka nga Kolo Muani, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. I kam kërkuar të stërvitet mirë dhe të bëjë gjithçka për të qenë në dispozicion. Është ajo që i kërkoj të gjithëve”, deklaroi Motta.

Ndeshja Juventus-Milan do të luhet të Shtunën, duke nisur nga ora 18:00 në stadiumin “Allianz” në Torino. /tvklan.al