Një propozim i Korporatës Elektroenergjetike shqiptare paraqitur pranë entit rregullator të energjisë bën fjalë, për rritje të çmimit të energjisë elektrike të vitit 2004. Këtë e kanë bërë publike edhe drejtori i KESH-it Andis Harasani, por për herë të parë një masë e tillë po diskutohet në mënyrë transparente.
Andis Harasani: Çmimi do të caktohet nga enti rregullator i energjisë. Propozimi që korporata i ka dërguar entit para 6 muajsh siç e thashë, i ponderuar është diku te 10%. 10% rritje. Do jetë një fazë 20 ditore diskutimesh dhe besohet nga data 25-26 Dhjetor do jetë takimi final me entin rregullator të energjisë. Kjo është një datë që e cakton enti, për të caktuar se kush do jenë çmimet e reja të energjisë për vitin 2004.
Në lidhje me këtë problem është zhvilluar një diskutim nga drejtuesi i KESH-it dhe me Avokatin e Popullit si edhe me drejtuesin e zyrës së mbrojtjes së qytetarëve të cilët dhanë mendimet e tyre në lidhje me këtë problem.
Ermir Dobjani: Për ne është e rëndësishme që të mbrohen gjithmonë interesat e konsumatorëve shqiptarë, e para, e dyta, që këto masa të bëhen me transparencën maksimale.
Kreshnik Spahiu: Në këto kushte duhet bërë ç’është e mundur që strategjia e paraqitur nga Korporata Energjetike pranë entit rregullator, të jetë një strategji jo diskriminuese, pra ti siguroj barazinë qytetarëve, që do të thotë se ata qytetarë, që nëse nesër do paguajnë një çmim më të lartë energjie të mos paguajnë për të kompensuar ata qytetarë që nuk paguajnë, pra duhet të sigurohet një barazi e plotë dhe jo diskriminuese.
Ndërsa masa e rritjes së çmimit të energjisë elektrike me 10%, gjithmonë sipas propozimit të KESH-it, do të shoqërohet edhe me uljen e kufirit maksimal të shpenzimit të energjisë. Gjithsesi i mbetet entit rregullator për të vendosur për këtë propozim./tvklan.al