Këshilli i Evropës ka akorduar 1.5 milion euro për evidentimin e vlerave të vijës antike Egnatia në Elbasan. Për realizimin e projektit është kërkuar mbështetje edhe nga bashkia e qytetit të Elbasanit e cila do të kontribuojë me 25% të vlerës.
Projekti parashikon zbulimin dhe rindërtimin e rrugës në disa pjesë të saj. Vëmendja do të përqendrohet në segmentin e rrugës që përshkon mes për mes kalanë e Elbasanit nga perëndimi në lindje në atë që njihet si rruga Kostandin Kristoforidhi.
Instituti i Monumenteve ka përshëndetur nismën por ka kërkuar që të kryhen disa modifikime siç është zëvendësimi i mermerit me gur tradicional.
Ky projekt parashikon ndërhyrje edhe në pjesë të veçanta të rrugës siç është ura antike në Fatishë të Peqinit, zbulime të pjesëve të ndryshme të rrugës nga Peqini në Elbasan, rikonstruksion të banjove antike në Bradasheshi dhe mjaft ndërhyrje të tjera në monumentet antike. Por vëmendja do të përqendrohet në kalanë e Elbasanit pikërisht në vendin kur në kohën e Romës së lashtë ishin të vendosur 1500 legjionarë që kishin për detyrë të ruanin vijën Egnatia e të siguronin lëvizjen e karvanëve të perandorisë përgjatë saj.
Rruga Egnatia është vazhdim i vijës Apia që lidhte Romën me Brindizin. Më pas kalonte nga Durrësi,Ohri, Selaniku për të vazhduar deri në lindje./tvklan.al