Pas OSBE-së, Komisionit Evropian, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës thekson se zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit në Shqipëri shënuan një progres të dukshëm.
Sipas këtij institucioni aplikimi i procedurave të reja si regjistrimi dhe identifikimi i votuesve; adaptimi i një sistemi ligjor të përmirësuar dhe një sere risish te tjera, i bëjnë këto zgjedhje te vlerësohen si mjaft pozitive dhe në përmbushje të standardeve të njohura ndërkombëtare.
Gjithashtu ne raportin që pritet të bëhet publik këto ditë theksohet se janë vërejtur përmirësime edhe në funksionimin e KQZ.
Komisioni që ndoqi nga afër zgjedhjet e 28 Qershorit në Shqipëri vlerëson qetësinë e vërejtur gjatë ditës së zgjedhjeve dhe mirëorganizimin e tyre, duke konstatuar se nuk u shënua asnjë incident apo rast dhune.
Vëzhguesit e Këshillit të Evropës konsiderojnë gjithashtu se amendimet në kushtetutë dhe kodi i ri elektoral i aprovuar me konsensusin e të dyja partive kryesore sollën një përmirësim të dukshëm. Ata vënë në dukje përpjekjet e mëdha të bëra nga autoritetet për të përfunduar procesin e identifikimit të votuesve në vend dhe lëshimin e kartave të identitetit e pasaportave biometrike.
Por komisioni i posaçëm, Ad Hoc, konstaton se kjo çështje u bë një nga temat kryesore gjatë fushatës elektorale.
Komisioni vlerëson se zgjedhjet e 28 Qershorit, në një masë të madhe nuk morën parasysh, prezencën e ulët të grave në parlament.
Këshilli i Evropës rekomandon përmirësimin e procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e ardhshme si dhe shtimin e numrit të komisionerëve të numërimit të votave.
Në bashkëpunim me komisionin e Venecias autoritetet shqiptare ftohen të përmirësojë sistemin ligjor e të rrisin kapacitet e administrimit zgjedhor.
Komisioni rekomandon nder te tjera edhe krijimin e një administratë të paanshme dhe profesioniste elektorale; përfshirjen e me shume grave në listën e kandidatëve dhe rishikimin e kodit zgjedhor ne baze te standardeve ndërkombëtare./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle