Lajme Arkiva 2003
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, shkarkoi në mbledhjen e tij të fundit një gjyqtar të çështjeve penale në Gjykatën e Tiranës. Elvis Kotini ka dhënë javët e fundit vendimin për një proces mjaft të rëndësishëm atë për njohjen e vendimit të drejtësisë italiane për Arben Grorin i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.
Megjithatë shkeljet sipas KLD-së janë vërejtur gjatë kontrollit të ushtruar në Gjykatën e Tiranës në muajin shkurt të këtij viti dhe në analizën vjetore është diskutuar mbi dy shkelje të kryera nga ky gjyqtar, atë për një të arrestuar për trafik droge, Alfred Braholli dhe për të dënuarin për vrasje Besim Doku.
KLD-ja pretendon se për të parin është dhënë vendimi pa praninë e prokurorit, ndërsa për të dytin është ulur dënimi. Vetë gjyqtari Kotini i cili pranoi të bisedonte m ene , por jo para kamerës thotë se lirimi nga paraburgimi është bërë me kërkesë dhe dijeni të ish prokurorit të përgjithshëm Arben Rakipi, ndërsa për rastin e të akuzuarit për vrasje gjyqtari thotë se ka bërë një lapsus në vendim.
Anëtari i gjykatës së Tiranës prej katër vitesh e cilëson si politik shkarkimin e tij, por nuk jep sqarime lidhur me këtë të paktën deri sa të dorëzoj ankimin në kolegjet e bashkuara civile në Gjykatën e Lartë./tvklan.al