Këshilli i Rregullores ka marrë në shqyrtim dy paketat e propozimeve për ndryshimin e rregullores të Kuvendit, por do të jetë byroja juridike që do të hartoj më pas draft përfundimtarë për t’ia përcjellë seancës plenare të së hënës. Edhe pse janë dy amendamente të hartuara nga grupet kryesore të parlamentit, përkatësisht nga nënkryetar i kuvendit Fatos Beja dhe dy deputetët socialist Besnik Dervishi dhe Arben Malaj, të 2 draftet synojnë përmirësimin e procedurave për dhënien e pëlqimit nga kuvendi në lidhje me kandidatët për anëtarë të institucioneve kushtetuese.
Por përfaqësuesit e opozitës edhe pse kishin një draft të vetin munguan në mbledhjen e këshillit.
Ilir Bano: “Thelbi i këtyre ndryshimeve ka të bëjë me garantimin e cilësisë së përzgjedhjes së kandidaturave për organet kushtetuese, ose organet e përcaktuara me ligj dhe rritjen e funksionit të Kuvendit në përzgjedhjen e tyre në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Janë të njëzëri të mendimit që duhen organizuar seanca dëgjimore. Kjo jo vetëm rrit cilësinë e përzgjedhjes por është shumë e rëndësishme dhe për transparencën ndaj publikut”.
Por deputeti socialist Arben Malaj, e ka konsideruar mbledhjen e Këshillit të Rregullores pa praninë e opozitës si shkelje të rregullores. Ai e ka konsideruar të pa justifikueshme përshpejtimin nga ana e mazhorancës për t’i miratuar ndryshimet e rregullores.
Arben Malaj: “Propozimi jonë ndryshon në thelb me propozimin e mazhorancës. Seancat e dëgjimit që janë një element i kontrollit parlamentar dhe një eksperiencë pozitive në demokracinë parlamentare, ndryshojnë thellësisht nga propozimet që i konvertojnë këto seanca dëgjimi në seanca hetimi apo seanca gjyqësore. Në momentin që mazhoranca ndryshon rregulloren pa asnjë diskutim të gjatë po në emergjencë, pa pjesëmarrje të opozitës po thjeshtë me votat e saj, besoj që vetë mazhoranca e ka investuar një debat të ardhshëm në Parlamentin Shqiptarë”.
Amendamentet për ndryshimin e rregullores u përfshinë me kalendarin e parlamentit për shqyrtim me procedura të përshpejtuara. Debatet për ndryshimin e rregullores parlamentare lindën pas ngërçit institucional të krijuara gjatë kohës kur në Kuvend ishin ende pa u votuar 5 dekretet e kreut të shtetit për anëtarë të Gjykatës së Lartë./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama
Operator Gentian Koçi