Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Të demokratizohet Partia Demokratike. Kjo ka qenë direktiva kryesore që ka përshkrua të gjithë fjalimin e liderit demokrat Berisha, drejtuar Këshillit Kombëtar i mbledhur sot paradite në selinë e kësaj partie. Këshilli Kombëtar Demokrat ka për objekt kryesor diskutimin nen për nen të projekt statutit të ri që do ti paraqitet Kuvendit Kombëtar më 30 Shtator.

Priten ndryshime rrënjësore dhe në rregulloren dhe programin aktual të kësaj partie. Në fjalën e tij Berisha ka pranuar kritikat që sipas tij janë bërë nga degët lokale të partisë në rrethe për dhënien e disa funksioneve të njëjtit drejtues në selinë qëndrore të PD. Kjo nuk do të përsëritet më ka theksuar Berisha duke këmbëngulur në decentralizimin e vendimarrjes.

Polemika të mëdha ka patur kohët e fundit mes të moderuarve dhe udhëheqjes aktuale të PD, për rolin dhe kompetencat e kryetarit të ardhshëm të PD. Zvogëlimi i kompetencave konsiderohet si gur prove për demokratizimin e vërtetë të kësaj partie./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame