Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka një komandant të ri. Bëhet fjalë për gjeneralin gjerman Markus Bentler, i cili sot morri zyrtarisht detyrën.
Paraardhësi i tij, italiani Giuseppe Emilio Gay në detyrë që prej 29 gushtit të vitit 2008 dorëzoi komandën e 14 mijë ushtarëve duke theksuar se pas një viti nga pavarësia e saj, Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm drejt stabilitetit të saj.
“Kjo ka qenë një periudhat më shpërblyese të jetës time profesionale dhe ju falënderoj për përkushtimin tuaj”- tha ai gjatë ceremonisë së mbajtur në Prishtinë.
Ceremonia u udhëhoq nga Komandanti i forcave të bashkuara të NATO-s Admirali Mark Fitzxherald dhe në të morën pjesë edhe presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.
Për gjeneralin Bentler i cili ka një mandate një vjeçar Kosova duhet të vazhdojë në rrugën e ndjekur deri tani.
“Kam qenë në Kosovë më parë tha ai, e njoh mirë si vend dhe jam dëshmitar i progresit që ajo ka bërë. Do të doja që ajo të vazhdonte në këtë rrugë shtoi Bentler i cili ka shërbyer si komandant i trupave gjermane në Kosovë .
Aleanca veri atlantike synon të reduktojë ndjeshëm prezencën e saj ushtarake në Kosovë, duke e çuar atë në 2000 trupa në një afat kohor dy vjeçar një objektiv i bërë i ditur nga sekretari i përgjithshëm Rasmusën në Bruksel. Forcat e KFOR-it numërojnë 14 mijë ushtarë nga 35 vende të ndryshëm të botës./tvklan.al