Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, vizitoi të mërkurën fshatrat më veriore të vendit të banuara me shqiptarë.
Nga fshatrat Koshtovë, Cerajë e Bistricë të Leposaviqiti, ai porositi se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe si e tillë, në kufijtë e saj, është njohur nga të gjitha vendet që e kanë pranuar deri më tani.
Fatmir Sejdiu “Ne e kemi dhënë, ju kujtohet edhe atëherë kur kemi biseduar ‘98-shin, ‘97-shin, ‘96-shin në periudha të ma hershme, se Kosova ka kuptimin e vet vetëm si tërësi, se Kosova e ka kuptimin e vet në hartën gjeografike që është e njohur dhe ndërkombëtarisht”.
I pari i vendit tha se çdo ndërrim kufijsh në rajon do të ishte shumë i rrezikshëm, prandaj qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është i pandryshueshëm: Secili në shtëpinë e vet, secili në kufijtë e vet shtetërorë.
Duke i vizituar edhe nëpër shtëpitë e tyre, presidenti premtoi mbështetjen institucionale për banorët e këtyre fshatrave.
I pari i vendit tha se është borxh i institucioneve të Republikës së Kosovës për të realizuar projekte të zhvillimit, të cilat do t’u mundësonin banorëve të kësaj zone të qëndrojnë këtu, si dhe t’i nxisin ata që janë larguar të kthehen.
Sejdiu edhe me këtë rast iu bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, në mënyrë që të kontribuojnë për të ardhmen më të mirë të tyre dhe të Kosovës./tvklan.al