29 fitore në sportin e MMA

Khabib Nurmagomedov fitoi ndeshjen e fundit të karrierës së tij në Mixed Martial Arts. Sportisti nga Dagestani tërhiqet nga këto përballje me 29 fitore dhe asnjë humbje.

Në raundin e parë të sfidës me Justin Gaethje, ndeshje e zhvilluar në “Fight Island”, në Abu Dabi, Nurmagomedov fitoi 10-9, ndërsa pak sekonda pas fillimit të raundit të dytë Khabib arriti të mbërthente mjaft mirë Gaethjen dhe ky i fundit u dorëzua.

Një metodë e njohur kjo për rusin më të cilën mundi edhe Conor McGregor. Khabib mbetet kështu kampion i pamposhtur. Lajmin se do të tërhiqet e dha vetë menjëherë pas ndeshjes.

“Kjo ishte ndeshja ime e fundit. I kisha premtuar nënës time që nuk do të ndeshesha më pa praninë e babait tim dhe duhet të mbaj fjalën”.

Babai i tij Abdulmanap Nurmagomedov është ndarë nga jeta disa muaj më parë. Ai ka qenë trajneri i tij që në vogëli. Khabib tërhiqet nga garat si një prej sportistëve që do të kishin të ardhme premtuese. Sipas revistës Forbes, ai largohet me rreth 16.5 milionë dollarë pasuri të grumbulluar nga ndeshjet.

Tv Klan