Qeveria e Kinës ka njoftuar sot se ka vendosur disa sanksione kundër ish-Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo dhe disa zyrtarëve të tjerë të administratës së Donald Trump.

Reuters raporton se janë 28 zyrtarë të cilët janë përfshirë në listën e personave që u janë vendosur sanksione nga Kina.

Sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e Kinës, sanksionet janë vendosur për “veprime që kanë ndërhyrë rëndë në punët e brendshme të Kinës“.

Më tej shtohet se “Këtyre individëve dhe anëtarëve të tyre të familjes së ngushtë u ndalohet hyrja në territorin e Kinës, Hong Kong dhe Makao”.

Po ashtu këtyre zyrtarëve dhe kompanive që ata mund të zotërojnë, do të kenë kufizime për të bërë biznes në Kinë.

Sanksionet e Kinës për zyrtarët e administratës së Trump vijnë në të njëjtën kohë kur Presidenti i ri Joe Biden është betuar dhe ka nisur zyrtarisht detyrën./tvklan.al