Nëna e Eminem, Debbie Nelson ka ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare nga kanceri në mushkëri. Sipas TMZ, ajo vdiq mbrëmjen e së hënës, tre muaj pasi doli lajmi se ishte “e sëmurë me kancer të përparuar në mushkëri”.
Në muajin shtator, një burim për InTouch Weekly tha: “Nuk ka shumë shpresë për Debbie. Tani ajo jeton midis klinikës së kancerit dhe familjes. I ka mbetur shumë pak kohë”. Burimi shtoi se Eminem nuk kishte shkuar në Missouri për ta vizituar pasi kanë vite që nuk flasin.
Që në fillim të karrierës, Eminem është frymëzuar nga raporti i vështirë me të ëmën për të krijuar këngë. Në hitin Cleanin’ Out My Closet”, ai rrëfen abuzimin që ka përjetuar prej saj, faktin që e shihte të abuzonte me drogërat dhe e bënte të besonte se ishte i sëmurë.
Nelson ngriti një padi prej 11 milionë dollarësh për njollosje imazhi kundër djalit të saj. Gjykata vendosi në favor të saj, por ajo mori vetëm 25 mijë dollarë dhe i mbetën 1600 pasi pagoi avokatin.
Në një intervistë të vitit 2008 me Village Voice, ajo ka shprehur dëshirën për t’u pajtuar me reperin. “Nuk do të heq kurrë dorë nga fëmijët e mi. Ka shpresë për këdo. Duhet thjesht të gëlltisësh krenarinë”.
Në vitin 2013, Eminem publikoi një këngë të titulluar “Headlights” ku i kërkonte falje. Nuk dihet nëse ata u pajtuan para vdekjes së saj, por është raportuar se reperi e ndihmonte financiarisht./tvklan.al