Teksa ende nuk ka folur publikisht për ndarjen nga jeta të nënës së tij, reperi me famë botërore Eminem (Marshall Mathers), ka hequr frazën ofenduese ndaj saj tek kënga hit e vitit 2002 “Without me”.
“Fuck you Debbie”, thuhej në tekstin e këngës, rresht të cilin nuk e këndoi më 7 Dhjetor teksa performonte në Abu Dhabi. Ai ia la në dorë fansave nëse donin ta këndonin këtë frazë, 5 ditë pas vdekjes së nënës së tij. Kënga e bujshme u shkrua në një periudhë ku përpos marrëdhënies së komplikuar nënë e bir, reperi kishte edhe një betejë ligjore me Debbie. Kjo e fundit e paditi Eminem për shpifje pasi këngëtari kishte rrëfyer përmes këngëve në albumin e 1999-ës “The Slim Shady LP”, se si ajo ishte përdoruese droge. Me këngën “Brain Damage”, ai tregonte po ashtu se ishte dhunuar prej saj.
Debbie mori 25 mijë dollarë dëmshpërblim, por kjo nuk e ndaloi Eminem të prodhonte muzikë të re me tematikë të njëjtë. “Without me” dhe “Cleanin’ out my Closet” ishin këngët e tjera që bënë bujë.
Në 2011-ën, ai solli “Stan”. Ky projekt muzikor tejet emocional, u pasua me një deklaratë të Eminem kur tha se “pavarësisht gjithçkaje ai e do nënën e tij dhe me kalimin e viteve ka arritur ta kuptojë më mirë atë”.
Me këngën “Headlights” në 2013-ën, reperi i kërkoi falje Debbie-t.
“Në atë kohë isha i mllefosur, me të drejtë. Megjithatë, nuk i mendoja realisht ato që kam thënë. Tani e di që s’është faji yt, dhe s’po bëj shaka. Ajo këngë nuk do luhet më nëpër shows”, thuhej në tekstin e këngës.
Debbie Nelson ka lindur në Kansas të SHBA-së në vitin 1955. Ajo u martua me Marshall Bruce Mathers Jr. kur ishte vetëm 15 vjeç. 16 muaj më vonë ngeli shtatzënë me Eminem dhe u zhvendos në Michigan, atje ku jetonte gjyshja e saj. Marrëdhënia e tyre është reflektuar në disa këngë të reperit, ku ai theksonte se nëna e tij abuzonte me drogën që në moshë të re, gjë që Debbie e ka mohuar.
Nelson ndërroi jetë pak ditë më parë në moshën 69 vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin.
/tvklan.al