Përfundimi në një periudhë të shpejtë i reformës ligjore për transmetimet televizive dhe kalimi nga transmetimet analoge në transmetime numerike apo digjitale i operatorëve televizivë në vend deri më 31 Dhjetor 2012 ishin dy shtyllat kryesore për drejt integrimit sipas standardeve evropiane në transmetimet televizive.

Në raportin vjetor të vitit 2009, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit evidentoi krijimin e një projekt-strategjie për kalimin nga transmetimet analoge në numerike nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj, ndërkohë që vendet e Bashkimit Evropian përfunduan këtë proces në Janar të vitit 2012.

Edlira Bushati: “Përshpejtimi i hapave për miratimin dhe zbatimin e strategjisë kombëtare për kalimin nga transmetimet analoge në ato numerikë duhet të trajtohet me prioritetin maksimal. Po kështu licencimi i operatorëve numerik tokësor, si atyre ekzistues ashtu dhe subjekteve të rinj që do futen në tregun e transmetimeve numerike do të ishte një arritje e rëndësishme në liberalizimin e tregut, respektimin e konkurrencës dhe ofrimin e zgjedhjes për konsumatorët. Përfundimi i reformës ligjore në përputhje me standardet e BE-së është një tjetër hap madhor që duhet të realizohet në një periudhë sa më të shpejtë kohore.”

Sipas raportit, prapë thembra e Akilit në transmetimet televizive është pirateria e programeve dhe filmave nga platforma digjitale Tring dhe transmetues kabllorë.

Edlira Bushati: “Një lumë ankesash nga operatorë të ndryshëm për çështjet e transmetimit pa të drejta. Përmend këtu operatorin satelitor numerik, Tring i cili është sanksionuar 5 herë me gjobë maksimale nga KKRT për transmetimin  filmash pa të drejta. Është e paimagjinueshme sot, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për çdo të huaj që jeton në Shqipëri që kjo platformë në 2010, të transmetojë filma që janë akoma në kinema në 2010 dhe për këtë  arsye për këtë platformë ka pasur dhe ankesa nga kompani të ndryshme të huaja amerikane dhe evropiane. Aktivitet sportive ndërkombëtare, Champions League, kampionatet Seria A, Bundesliga, Premier Ligë, Premiera Divizion janë programet televizive që miratohen më së shumti nga operatorët kabllor.”

Raporti për vitin 2009 analizon gjithashtu dështimin në licencimin e rrjeteve tokësore dhe private, duke evidentuar situatën e programacionit, ku kërkohet që prodhimet me drejtim social të përfshihen më gjerësisht në këto struktura të operatorëve televizivë.

Gjatë vitit 2009, KKRT ka licencuar 44 subjekte radiotelevizive, kryesisht operatorë radiotelevizivë kabllorë./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani