Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve, zonja Mesila Doda, ka akuzuar prokurorinë e Tiranës për presion ndaj saj dhe këtij institucioni. Pikërisht në kohën kur KKRT-ja ndodhet në një moment kyç të zhvillimit të saj. Në momentin kur po përgatitet për dhënien e frekuencave digjitale. Të garave të mëdha të frekuencave digjitale që do të ndryshojnë të gjithë sistemin tonë mediatik.

Në një konferencë zonja Doda tha, se ajo kërkohet për të dhënë shpjegime lidhur me mos deklarimin e pasurisë të njërit prej anëtarëve të këshillit, zotit Detar Hysi. Këtë kërkesë të prokurorisë ajo e quajti si të paligjshme dhe tendencioze.

Mesila Doda: “Siç e kuptoni të gjithë dhe si çdo logjikë e thjeshtë, e thjeshtë flas dhe jo më ajo juridike  pengon që të konsiderohet kryetarja e KKRT-së, si person i cili mund të japë shpjegime lidhur me deklarimin apo mos deklarimin e pasurisë së njërit prej anëtarëve të KKRT-së të cilët janë të barabartë në votë me kryetarin. Nuk varen administrativisht prej tij, prej saj apo prej parlamentit. Pra nga ana e logjikës juridike është një nonsens i jashtëzakonshëm juridik.”

Reagimi i prokurorisë vjen në fakt pas një interviste të zonjës Doda në televizionin Klan, i cili tha se emërimi i Olsion Çelës në krye të prokurorisë së krimeve të rënda është një mesazh i keq që organi i akuzës  i jep shoqërisë. Zonja Doda rikujtoi qëndrimin e Olsion Çelës në çështjen Ora News, ku ai nxori sekretet e hetimit.

Mesila Doda: “Ky është një presion që bëhet ndaj KKRT-së, sepse jo për çdo arsye kryetari i KKRT-së mund të shkojë. Pikërisht kjo është pjesa e dytë që doja t’iu shpjegoja dhe në mënyrë direkte kjo do të ndikojë në punën tonë të mëtejshme. Pra në këtë punë të madhe, të jashtëzakonshme voluminoze që po ndërmarrim. Në ndryshimin e sistemit, unë kisha paragjykuar dhe ju thash përpara 4 ditësh që do të kishim presione nga prokuroria dhe prokuroria pas 4 ditësh na solli fletën e thirrjes.”

Më tej në deklaratën e saj zonja Doda theksoi, se institucioni që ajo drejton do të kërkojë që të vazhdojë të garantohet në lirinë e saj të punës. Në lirinë e kryerjes së objektivave të mëdha që  i ka caktuar vetes, e mbi të gjitha të mos pengohet nga persona që në bazë të meskiniteteve të ndryshme e të një logjike të shtrembëruar dhe të vogël të tentojnë të mbajnë peng krerët e saj me gjithfarë arsyesh./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro