Parlamenti miratoi projektligjin që u njeh të drejtën personave që posedojnë një apartament apo kanë një kontratë qiraje në fshatrat turistike, të bëhen pronarë e në bashkëpronësi të objektit banues.
Në këtë mënyrë e gjithë procedura për rregullimin e pronësisë tashmë i mbetet në dorë Agjencisë së Legalizimit të Ndërtimeve në Zonat Informale dhe paratë e grumbulluara do të kalojnë në fondin e parashikuar për dëmshpërblimin e ish-pronarëve.
Projektligji për “Rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, u miratua me 73 vota pro gjatë seancës plenare të pasdites.
Bujar Nishani: “Synimi i qeverisë është të zgjidhë disa çështje. Së pari të optimizojë një pronë publike, një pronë publike e cila të … shpërblimin mbi bazën e vlerës së tregut në buxhetin e shtetit. Së dyti i shkojmë atij qëllimi që shprehet në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, detyrimit të krijimit të një fondi special për kompensimin financiar të pronarëve. Dhe së tregti formalizohen këto njësi ndërtimi dhe futen në treg.”
Por për anëtarin e komisionit të ligjeve, deputetin Eduart Halimi ky ligj nuk merr përsipër të zgjidhë plotësisht çështjen e bashkëpronësisë mbi truallin ku ndodhet banesa dhe atë të sanksioneve që parashikohen lidhur me mos pagesën brenda një afati 6 mujor.
Eduart Halimi: “Çfarë do të ndodhë pas disa vitesh kur banesa të amortizohet apo në rast se ajo shkatërrohet për shkaqe natyrale. Pronari që ne po bëjmë nuk do të jetë pronari i themeleve sepse do të jetë në bashkëpronësi me gjithë të tjerët dhe për ta rindërtuar me leje do ti duhet miratimi i gjithë banorëve të fshatit. Ne i themi dikujt që ka ardhur jo me dhunë, por me leje në këtë zonë dhe e ka blerë një banesë me leje të rregullt, që ti duhet t’i blesh muret, por jo truallin se atë e ke në bashkëpronësi. Ndërsa dikujt tjetër pak metra më larg, me një ligj tjetër atë të legalizimit të zonave informale kanë ndërtuar edhe pa leje të jetë pronar i mureve, të jetë i themeleve, madje edhe i oborrit funksional.”
Sipas ligjit truallin ka të drejtë ta blejë ose pronari i objektit të ndërtuar në tokën shtetërore që është i interesuar për të privatizuar atë, ose personi i stimuluar, i cili mund ta ketë marrë me qira tokën shtetërore dhe më pas ka ndërtuar në të.
Në rastin kur trualli i shitet personit të interesuar, çmimi paguhet në masën 80% të vlerës prej subjektit dhe 20% të kësaj vlere nga personi i stimuluar.
Ligji parashikon gjithashtu që trualli përqark ndërtesës kalon në bashkëpronësi mes privatit dhe shtetit, dhe vetëm pas njoftimit publik në një afat kohor prej 60 ditësh, personi që kërkon pronësinë e objektit duhet të bëjë dorëzimin e dokumentacionit përkatës.
Në fund është ALUIZNI ai që vendos kontratën e shitblerjes ndërmjet palëve të interesuara, por sipas ligjit, kontrata nuk lidhet nëse nuk bëhet pagesa e plotë e çmimit të truallit të ndërtesës.
Pas miratimit të këtij projektligji në seancën plenare të pasdites deputetët e mazhorancës miratuan dhe dy anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, Suela Musto dhe në postin e kryetares së KKRT-së u zgjodh Edlira Bushati./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro