Në kulmin e debateve për Ligjin e Arsimit të Lartë, ku një pjesë e studentëve dhe pedagogëve janë hedhur në greve për rrëzimin e tij ndërsa qeveria është treguar e prerë se drafti nuk preket, është KLSH që në një audit të tij thotë se problem për universitetet mbetet zbatueshmëria dhe jo ligji në vetvete.
Duke iu referuar ligjit për arsimin e lartë, auditi thotë se ligji nuk ka mangësi në formulim , por në zbatimin e tij të gjithë aktorët kanë mangësi të theksuara dhe të përsëritura.
Problematikat dhe kërkesat të cilat ngritën studentët në protestë prej afro dy muajsh, janë evidentuar në auditin e kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në 7 universitetet publike.
Sipas këtij auditimi, tarifat e universiteteve publike për studentëve janë një kosto e konsiderueshme për buxhetin e tyre, ndërsa shpenzimet e universiteteve në të shumtën e rasteve nuk orientohen në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj studentit apo kërkimit shkencor.
Në raport-audit thuhet se shërbimet ndaj studenteve janë të limituara dhe me shumë hallka burokratike. Është konstatuar se dhe ka një cilësi të ulët të shërbimeve të ofruara pranë universiteteve publike, struktura administrative të fryra dhe jo eficente pranë Rektorateve. Mungojnë sherbimet online si dhe një plan strategjik nga universitetet për rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj studenteve. Edhe kurrikulat universitare publike për ciklin e parë dhe të dytë, janë të shkëputura nga realiteti për të cilin duhen ta përgatisin studentin.
Këto kurrikula, thotë auditi i KLSH, janë importuar teorikisht nga vendet më të zhvilluara, pa u testuar më parë në mjedisin shqiptar.
Tv Klan