Klubi i Kukësit, që në sezonin e ri do të militojë në Kategorinë e Parë, ka ndryshuar pronësi. Verilindorët nuk do të jenë më në drejtim të familjes Gjici.
Nëpërmjet një njoftimi në faqen e klubit, bëhet e ditur se presidenti i ri do të jetë Atilio Biba. Sa i përket stafit drejtues, Renato Arapi është zgjedhur drejtor teknik, ndërsa Nikita Kornejevs do të mbajë postin e drejtorit sportiv.
“Futboll Klub Kukësi njofton se ka ndryshuar kryesia dhe stafi administrativ i klubit! Duke falënderuar ish-presidentët Safet Gjici dhe Lavdrim Gjici, FK Kukësi njofton se Atilio Biba do të jetë presidenti i ri i klubit.
Në një konferencë shtypi të mbajtur në stadiumin “Air Albania”, janë prezantuar edhe drejtuesit e ri, ku roli i drejtorit sportiv, do të mbulohet nga Nikita Kornejevs, ndërsa roli i drejtorit teknik do të mbulohet nga Renato Arapi!
Futboll Klub Kukësi i uron suksese stafit të ri administrativ dhe garanton tifozët se FK Kukësi do të rikthehet shumë shpejt aty ku i takon!”, shkruhet në njoftimin e klubit.
Në prezantimin e tij, Nikita Kornejevs, u shfaq i entuziazmuar për këtë aventurë të re, ndërsa deklaroi se ka ardhur për të bëjë një punë të madhe dhe të rikthejë ekipin në elitë.
“Fillimisht do të thoja që jam shumë i lumtur që jam këtu në Shqipëri, shumë krenar dhe i nderuar që bëhem pjesë e një klubi me kaq histori. Kam ardhur të bëjmë një punë të madhe dhe këtë do ta bëjmë hap pas hapi. Puna jonë si klub është të kthejmë gëzimin e futbollit në qytetin e Kukësit dhe të kthejmë klubin e Kukësit ku i takon, në Superiore. E besoj me të vërtetë se mund të arrihet.
Në karrierën time e kam arritur një sukses të tillë, në vendlindjen time Letoni, kisha klubin Tukums 2000 që ishte në vështirësi të mëdha. Në sezonin e parë e morëm ekipin në kategorinë e dytë dhe e ngjitëm në Premier Ligë dhe klubi vazhdon të luajë ende atje.
Edhe te Kukësi kemi një staf të përgatitur që e dinë mirë se çfarë duhet të bëjmë, janë gati për sukses dhe po punojnë me dashuri të madhe për këtë klub. Do të vazhdojmë rrugën e lënë nga presidenti i mëparshëm dhe shpresojmë të sjellim edhe më shumë dritë në klubin e Kukësit.”, deklaroi drejtori i ri sportiv.
Në krahun tjetër, Renato Arapi, në postin e drejtorit teknik, zbuloi arsyet përse pranoi këtë detyrë.
“Pavarësisht gjendjes se ku ndodhet tani, Kukësi është një ekip elitar që i ka dhënë futbollit shqiptar shumë. Ftesa e donatorëve që kanë ardhur te Kukësi, projekti që ata kanë dhe fakti që e di se si punojnë, më bëri që sot të jem këtu.”, deklaroi Arapi.
Kukësi do të luajë në Kategorinë e Parë dhe synon rikthimin në Superiore, ndërsa në ndeshjen e javës së parë do të përballen me Erzenin. /tvklan.al