Koalicioni i PD të Sali Berishës me LSI të Ilir Metës u komentua edhe në Kosovë. Partitë kryesore kosovare vlerësojnë se pak rëndësi ka kush me kë bëjnë koalicion. Sipas tyre e rëndësishme është një qeverisje stabile.
“Ne konsiderojmë që kjo konjukturë, ky formatim është e rëndësishme që Shqipëria ta vazhdojë rrugëtimin e Shqipërisë në perspektivën e saj drejt integrimit dhe zhvillimit më të madh të Shqipërisë.”
Edhe aleanca e Ramush Haradinajt pranon se qysh nga fillimi preferonte të djathtit, por koalicionin e sheh si një shenjë për një qeveri stabile.
“Konsiderohet si një stabilitet edhe më i madh edhe më i tepërt në funksion të integrimeve tashmë që e presin shtetin shqiptar në kohëra shumë të afërta dhe në një periudhë të caktuar 4 vjeçare që pretendohet që Shqipëria duhet të jetë në BE.”
Lidhja Demokratike e Kosovës duke mos e fshehur gëzimin për fitoren e Berishës, thotë se kjo formulë e qeverisjes sado e pa natyrshme është e qëlluar për këto momente që po kalon Shqipëria.
“Unë e konsideroj që do të krijohet do të prodhohet një qeveri stabile, një qeveri e cila do të jetë në gjendje ti zhvillojë më tutje proceset e filluara në Shqipëri drejt integrimeve evropiane dhe për momentin në bazë të këtyre rezultateve, çfarëdo zgjidhje tjetër do të rrezikonte një proces të tillë.”
Këto parti pavarësisht koalicionit nuk harrojnë të përmendin si një hap shumë pozitiv organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike nga shteti shqiptar, që u vlerësuan edhe nga ndërkombëtarët./tvklan.al