Komisioni për Punën, Çështjet sociale dhe Shëndetësinë është mbledhur këtë të Hënë për incidentin e ndodhur dy muaj më parë në spitalin “Nënë Tereza”.
Në urgjencën e re të kësaj qendre spitalore ra zjarr mëngjesin e 11 Shkurtit dhe prej gjendjes alarmante u evaakuan pacientët. Për çështjen e cila është ende nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, raportoi ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu. Kjo e fundit duke u bazuar në të dhënat e mbledhura prej grupit të punës, thotë se standardet e ndërtimit dhe protokolli i sigurisë bëri të mundur që incidenti të mos kishte pasoja të rënda, duke u lokalizuar në kohë.
Ajo theksoi se dy shërbime të kësaj qendre janë zhvendosur përkohësisht, por pritet që rehabilitimi i Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme të përfundojë në Maj.
“Dëshiroj të komentoj shkurtimisht të gjitha të pavërtetat e thëna për qendrën spitalore “Nënë Tereza”. Është qendra më e mirë në Shqipëri, investimi masiv dhe transformimi i spitaleve dhe çdo lloj reparti brenda qendrës spitalore ka bërë një diferencë të madhe për qytetarët. Incidenti për të cilin jemi mbledhur tregoi se standardet e shërbimit janë në gjendje të mirë në mbarë vendin. Deri pak vite më parë diçka e tillë do ishte e pamendueshme dhe incidenti do e kishte futur në kolaps sistemin shëndetësor. Sa i përket incidentit me urgjencën e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, çështja është aktualisht nëh hetim nga Prokuroria e Tiranës, por bëhet fjalë për një defekt teknik ku janë djegur kabujt elektrikë pa dëmtuar pajisjet e spitalit. Sot që flasim vazhdon normalisht puna. I vetmi shërbim që është zhvendosur përkohësisht është Urgjenca Kardiake dhe ajo e Sëmundjeve të Brendshme, te “Shefqet Ndroqi”, në spitalin e Fierit e të Shkodrës. Falë protokolleve të sigurisë, duhet theksuar se ky spital ishte në gjendje që për shkak të standardeve që kemi aplikuar në ndërtim të lokalizonte incidentin me zjarrin dhe të mos lejohej përhapja në gjithë strukturën. Sot që flasim kompania kontraktore fituese ka filluar punën për rehabilitimin, pritet të përfundojë në muajin Maj”, tha ministrja Albana Koçiu.
Kryetarja e këtij komisioni Zheni Gjergji iu drejtua ministres duke thënë se ka shumë pyetje pa përgjigjie. Përmendi dhe ish-ministren Ogerta Manastirliu, duke shtuar se ajo duhet të mbajë përgjegjësi për situatën.
Zheni Gjergji: Këto janë përgjigjie pa përgjigjie, e para në vendin tuaj duhet të ishte Ogerta Manastirliu. Fatmirësisht ka punuar sistemi për të mos pasur humbje jete, por ky spital është jashtë standarteve të BE-së. Më dalin këto foto që e kanë këtë shërbim prej dy muajsh jashtë, keni një raport të KLSH-së që dhe mobilimi është bërë me shtretër të vjetër dhe mobilie të përdorura. Ajo që më tërhoqi vëmendjen, cilat janë standardet për të cilat flisni? Cila është kompania fituese? Sa ishte dëmi që shkaktoi zjarri? Investimi prej 17 mln eurosh u iki shqiptarëve dhe zonja Manastirliu duhet të mbajë përgjegjësi. Kemi kufizim të numrit të shtrimeve në këto shërbime. Sa vlen shëndeti i këtyre njerëzve, sot kemi një gjendje pa shifra dhe shërbim urgjence. Sa duhet të presin shqiptarët? Kur do jetë data dhe afati kryesor për këto firma që fitojnë tendera?/tvklan.al