Debate në Asamblenë e Jashtëzakonshme
Genc Boga dhe Tatjana Marash nuk janë më anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it. Asambleja e jashtëzakonshme e mbledhur të shtunën i shkarkoi pas kërkesës së bërë nga 1/3 e anëtarëve të këtij organizmi.
“E kanë thirrur 1/3, por ata nuk janë pjesë e mbledhjeve dhe nuk dinë ku i thyej unë kompetencat”, tha Genc Boga.
“Në rast se Presidenti, Zv/presidenti apo anëtarët e Komitetit Ekzekutiv që janë destruktiv në sjellje do të vijë momenti do të përballen me ata që e kanë votuar”, tha Fidel Ylli.
Debate pati para dhe gjatë votimit ku Genc Boga, i cili deri në këtë asamble mbulonte edhe rolin e Mbajtësit të Thesarit, polemizoi për mënyrën se si shfrytëzohen fondet.
“Shpenzimi i fundit ishin 60 mijë dollarë që u morën nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, që Komiteti Ekzekutiv nuk ka marrë vendim si t’i prishë. Papritur Sekretari i Përgjithshëm ka bërë tender dhe fituesi po bën rinovimin e zyrave”, u shpreh Genc Boga.
“Projektin e kemi çuar te Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe është mbledhur bordi dhe është vendosur që Shqipërisë t’i japim një buxhet ekstra për të bërë zyrat. Në Maj këto zyra do t’i inaugurojë Thomas Bach”, u shpreh Fidel Ylli.
Pritet që vendet vakante në Komietit Ekzekutiv të plotësohen, pasi janë dorëhequr edhe Gjergj Ruli dhe Izmir Smajlaj. KOKSH do të ngrejë edhe Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, ndërsa do të ketë edhe ndryshime në statutin e këtij organizmi.
Tv Klan