Në studion e “Kampionët” në Tv Klan, u ndez një debat, mes presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe Kryeredaktorit të Klan News, Andi Tela.
Shkak për këtë, u bënë deklaratat e Dukës, para Europianit, ku shprehej besimplotë për një sukses të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare.
“Në disa intervista për mediat italiane, kam thënë që fiton Shqipëria ndaj Italisë dhe të dyja kalojmë grupin. Nuk kam menduar lehtësisht se do të kalojmë grupin. Shumë mirë që keni besuar, sepse keni parë ndeshjen me emocion dhe pritshmëri. Jemi munduar ta injektojmë këtë besim te skuadra ndaj Spanjës. Nuk e injektuam dot, siç kishte bërë Gjeorgjia sot.”, deklaroi Duka.
Megjithatë, kundër kësaj ishte Tela, që theksoi se pritshmëritë për ndeshjet, janë shitur si triumf. Duka në përgjigjen e tij, deklaroi se këto, të cilat ai i quajti përralla, i ka dëgjuar shpesh, edhe kur deklaronte se do kualifikoheshim në Europian dhe më pas u arrit.
Pjesë nga debati:
Andi Tela: Ne e shohim ndeshjen si tifozë. Maqedonia e Veriut, humbi në tre ndeshjet e Europianit të kaluar dhe nuk kishin protagonizëm. Të njëjtën gjë mund ta pësonim dhe ne. Kur shef Gjeorgjinë sot, të vjen keq. Për Dukën, pse pritshmërinë ndaj rezultateve ia shet publikut si triumf? Sikur do shkojmë në Europian, do kualifikohemi, do mundim Italinë dhe do kalojmë grupin? Kjo pritshmëri, kur ndesh realitetin, ngrihet pyetja: Pse e bërë këtë punë?
Armand Duka: Ti mendon se kur të shkojmë në Botëror do themi që do pësojmë 5 gola?! Kur të shkojmë në Botëror, ne prap do themi që luajmë për fitore. Ky është objektivi. Të gjithë ata që janë rreth kombëtares, duhet të injektojnë besimin për fitore.
Andi Tela: Tifozët janë fituesit e këtij Europiani.
Armand Duka: A të pëlqen të dëgjosh presidentin që do shkojmë për turizëm?!
Andi Tela: Presidenti nuk thotë në intervista që do mundim Spanjën, Italinë dhe do kalojmë grupin. Imponon një pritshëmri publikut, përtej asaj që mund të mendojë një njeri me logjikë dhe që ndjek futbollin.
Armand Duka: Unë i kam dëgjuar këto përralla gjithmonë. I kam dëgjuar edhe kur thoja që do shkojmë në Europian. Nuk janë ashtu siç e thua ti. Të gjithë duhet të besojnë te fitorja. Nuk mund të shkojmë në asnjë garë dhe kompeticion duke thënë që do humbas.
Andi Tela: Këtë e quan histori suksesi apo dështimi?
Armand Duka: Këtë e vlerëson publiku. Futbolli nuk ka fund. Mund të shkosh në finale, humb dhe thua është dështim. Unë këtë e quaj një histori super të suksesit të futbollit dhe të të gjithëve.
Andi Tela: Ndeshjet e Shqipërisë janë parë në mbi 100 vende në transmetim televiziv. Kjo është reklama për futbollin shqiptar, kjo është e mirë e këtij aktiviteti. Tifozët shqiptarë në stadiume i ka parë e gjithë bota. Njerëzit nga natyra bëhen me skuadrën më pak favorite. Shumë njerëz mund të jenë bërë me Shqipërinë kur luajtëm ndaj Italisë, bëhen me skuadrën më të dobët, më pak favorite. Çdo përpjekje e jona për të arritur më tepër është një histori suksesi për të gjithë. Në këtë këndvështrim po thoja është më mirë kur pritshmëritë janë në nivelin siç e mendojmë të gjithë sesa kur karikojmë publikun kur themi që do të arrijmë maksimumin, ndërkohë e kemi arritur maksimumin kur jemi kualifikuar.
Armand Duka: Absolutisht e ke gabim. Nëse hyn në një betejë për ta humbur kurrë nuk do ta fitosh. Në çdo ndeshje e përsërita që do ta fitojmë. Qëndrimi im para Europianit ishte duhet të jemi krenar dhe jemi krenar që jemi në Europian.
Andi Tela: Por jo të thuash që do të mundim Italinë.
Armand Duka: Ne duhet të jemi krenarë që jemi në Europian. Kam thënë që do të fitojmë ndaj Italisë dhe do ta them sërish.
/ tvklan.al