Kombëtarja Shpresa ka barazuar 2-2 me Austrinë kryesuese në “Qemal Stafa” duke zhvilluar ndeshjen më të mirë në këto kualifikuese të Euro 2011.
Loja e Kuqezinjve të rinj ka qenë sulmuese që në fillim, ndërsa në fushë për austriakët ishte dhe futbollisti i lindur në Prishtinë, Atdhe Nuhiu.
Për sulmuesin 20-vjeçar të Ried tifozët kishin vendosur një parullë ku kërkohej që ai të luante për Shqipërinë.
Skuadra e Artan Bushatit ka qenë e papërmbajtshme në pjesën e parë të cilën e mbylli në avantazh.
Shkodrani Arsen Sykaj ka shënuar pas disa përpjekjesh në minutën e 20’, ndërsa austriakët kanë shpërdoruar 11-metërsh që do të baraspeshonte rezultatin pak përpara fundit.
Odise Roshi ka shënuar golin e dytë për ekipin tonë në të 50’, por disa çaste me pas kundërsulmi i befasishëm i miqve ka bërë që Klodian Samina të shkaktonte autogol.
21-vjeçarët austriakë kanë patur edhe një shans të artë nga pika e 11-metërshit, por Shpëtim Moçka tregoi aftësitë e tij në këtë rast.
Disa minuta më vonë në të 79’ zëvendësuesi Julius Perstaller, ka çuar dëm punën e kuqezinjve duke i hequr atyre mundësinë t’i gëzoheshin fitores të dytë në këto kualifikuese.
Shqipëria U21 pas gjashtë ndeshjesh renditet e parafundit në grupin 10 me 4 pikë të grumbulluara.
Përballja e radhës për Kombëtaren Shpresa do të jetë të mërkurën në Durrës ndaj Bjellorusisë./tvklan.al