Lajme Arkiva 2003

E cilësuar si shfaqja më e suksesshme e vitit në Shqipëri komedia “Çifti i Shqyer” do të udhëtoj drejt Kosovës. Shkruar nga italiani Dario Fo kjo pjesë sjell në skenë një çift marrëdhënia e të cilit është në krizë. Tradhtia bashkëshortore është në qendër të pjesës dhe drama që ajo sjellë në familje pasqyrohen  me mjaft forcë dhe ironi në “Çiftin e Shqyer”.

Kompania teatrore Oaz, regjisori Altin Basha dhe aktorët Olta Daku dhe Gazmend Gjoka edhe njëherë sollën në skenë një shfaqje të arrirë, suksesin e të cilës tani do të mundohen ta gjejnë edhe në Kosovë.

Altin Basha: Unë mendoj se mesazhet e shfaqjes janë universale dhe trajtojnë probleme me të cilat jo vetëm Shqipëria por edhe Kosova përballet. Problemet e jetesës në Çift, problemet e moralitetit në një bashkëjetesë janë probleme të përbotshme, në këtë kuptim mendoj se edhe në Kosovë kjo shfaqje do ta gjejë publikun e saj. Përveç kësaj mendoj se edhe çështja e mentaliteteve nuk është më një ndarje aq e thellë. Mund të jetë një paragjykim. Jam e sigurt se në Kosovë ekziston një publik i emancipuar i cili është në gjendje ti përcjellë emocionet e shfaqjes. Shpresojmë që edhe humori i shfaqjes dhe stili i saj të jetë i komunikueshëm për publikun atje. Mendoj se është një vepër e cila lehtësisht komunikon me çdolloj moshe dhe lehtësisht komunikon me çdolloj njeriu i cili ka provuar të jetojë në çift.

Gazmend Gjoka: Ne kemi një eksperiencë shumë të mirë. Kemi shfaqur në Prishtinë, gjithashtu edhe në Prizren dhe bashkë me Altinin kemi qenë regjisor. Unë tani jam edhe në rolin e aktorit dh shpresoj se do të kemi të njëjtën eksperiencë si me Vita Brevis./tvklan.al