Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Segmenti i shkurtër prej 360 metrash linear në rrugën e “Kavajës” përbën dosjen e ditës në komisionin Rama. Rikonstruksioni i kësaj rruge nga shkolla “Teknologjike” deri në Kombinat ka kushtuar për njësi, sipas ekspertëve të opozitës shumë më lartë se autostrada Vorë-Durrës.
Në preventivat e saj, zoti Rama dhe institucioni që ai drejton akuzohen, se kanë paguar 400 mijë lekë të vjetra për të prerë një pemë. Nga firmat fituese sipas kryetarit të komisionit Olldashi, janë rritur çmimet e zërave të punimeve, duke ulur fitimin e planifikuar dhe detyrimin fiskal ndaj shtetit.
Sokol Olldashi:- “Kjo është një fotografi e bërë në rrugën që është rikonstruktuar me një kosto më të lartë sesa autostrada dhe sikurse mund ta shihni fare kollaj, aty kanë filluar dëmtimet. Me 479 milion lekë të paguara, për 360 metra rrugë, ju e shikoni se si kanë filluar të hapen gropat në këtë rrugë që ka kushtuar mbi 1 milion lekë 1 metër linear”.
Megjithëse në rend dite ka qenë çështja e rrugës së “Kavajës”, anëtarët e PS, kanë dhënë versionin e tyre për dosjet e dy ditëve më parë, të “Ekspo Hanover 2000”, ku janë ekspozuar vlerat kulturore të vendit tonë, gjatë kohës kur Edi Rama ka qenë Ministër i Kulturës.
Erion Braçe:- “Për “Ekspo Hanover 2000”, për shkak se ka deklarata të kundërta, shumë interesante, duke filluar nga kryetari i opozitës doktor Sali Berisha, që aty janë vjedhur 825 mijë marka gjermane, nga kryetari i komisionit, që aty janë vjedhur 825 mijë marka gjermane, ashtu siç ka një raport të ekspertëve të PD pranë komisionit, të cilët në të gjitha konkluzionet e tyre ndryshe nga relacioni i zotit Olldashi nuk thonë që është vjedhur ndonjë qindarkë. Zotëria thotë që janë vjedhur 825 mijë marka, nga hajduti i Bagdatit, që atëherë ka qenë ministër i kulturës, kur ky ministër kulture ka pasur në dispozicion vetëm 680 mijë marka, 800 mijë të tjera janë të GTZ”.
Sipas kryekomisionerit Olldashi, i cili i referohej dosjes së sotme, 58% e totalit të vjedhur është shpërdoruar gjatë rikonstruksionit të rrugës së “Kavajës”./tvklan.al