Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pasditen e nesërme, në ditën e fundit të mandatit të komisionit hetimor anti-Rama, do të mblidhen edhe njëherë komisionerët e të dyja palëve për të hartuar raportin përfundimtar. Seanca e ditës së hënë ka vazhduar me debate mbi çështjen e ekspertimeve në terren. Nuk është gjetur gjuha e përbashkët që paraditen e së martës të takohen ekspertët e të dyja palëve përpara dorëzimit të raportit. Po kështu ideja e një seance të posaçme për të mbledhur provat shkresore, pa të arrihej në konkluzionin përfundimtar nuk është pranuar.

Por komisionerët socialistë shprehen, se deri tani komisioni s’ka arritur të mbledh provat, apo ekspertimet e duhura, ndërkohë që për komisionerët demokratë, çdo gjë e paraqitur në këtë komision ka qenë ën cilësinë e provave.

Sokol Olldashi:- “Ne kemi atashuar para komisionit ekspertë, të cilët kanë punuar dhe në bazë të punës të të cilëve, janë realizuar këto relacione apo objeksione, që ne kemi pasur për çështje të caktuara. Që të arrihet raporti, duhet që secili prej anëtarëve të komisionit, të sugjerojë ato që ai ka parë, ato që ai ka konstatuar bashkangjitur me provat që ai ka marrë për këto konstatime dhe të gjitha këto bashkë, do të përbëjnë procesin e hartimit dhe të miratimit të raportit përfundimtarë, i cili miratohet pastaj me shumicën e votave në komision”.

Fatmir Xhafa:- “Ligji, tani me të mirë, a me të keq, nuk i njeh ata ekspertët, që kemi atashuar ne pranë komisionit. Ata janë staf mbështetës, staf teknik. Ata nuk janë thirrur nga komisioni si ekspert kontabël, kur thirret një ekspert, zbatohet neni 18, për ekspertë. Ata janë stafi teknik i juaji, tre ne dhe një zoti Ndoka”.

Pritet seanca e fundit e hartimit të raportit për të mësuar idetë e ndryshme, nëse do të bashkohen në një raport të vetëm apo jo mbi hetimin tre mujor të veprimtarisë së kryetarit të bashkisë dhe ish-Ministrit të Kulturës Edi Rama./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti