Mazhoranca i ka dhënë OK në parim nismës së Partisë Socialiste që synon amendimin e ligjit aktual për komisionet hetimore parlamentare, ndërsa opozita ka zbutur qëndrimet e saj në mbledhjen e katërt të këtij komisioni.

Sipas deputetit Fatmir Xhafaj nëse mazhoranca nuk ka rezerva për kërkesën e Partisë Socialiste për numërimin e votave atëherë së paku hapja e kutive për materialet zgjedhore nuk mund të vihet në diskutim.

Fatmir Xhafa: “Duke iu referuar saktësisht dispozitave të kodit zgjedhor, rezulton se ka dy lloje kufijsh. Kutitë e votimit me fletët e votimit dhe kutia me materialet e votimit. Edhe nëse arsyetohet sipas pretendimit tuaj, se hapjen e kutive nuk e lejojnë vendimet gjyqësore, një gjë e tillë do të rezultonte tërësisht e pasaktë, për shkak se mosmarrëveshja juridike në gjykatë ka qenë e lidhur me të drejtën procedurale për rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit dhe jo me kutitë e materialeve të votimit. Duke vijuar me këtë lloj arsyetimi atëherë nuk do të rezultonte asnjë pengesë, të paktën për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore”.

Thirrjes së Pandeli Majkos për mirëbesimin në zgjedhjen e ngërçit politik, kreu i Komisionit të Ligjeve Rusmali është përgjigjur optimist se mazhoranca është gati për kompromisin që sigurisht duhet të jetë i bazuar në ligjet në fuqi, ndërsa shtoi se me nismën në fjalë kryesocialisti kërkon të marrë kompetencat e gjithëpushtetshmit.

Ilir Rusmali: “Ne do të shikojmë kush është raporti i Kryetarit të Partisë Socialiste me Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e këtij vendi, që nga dita kur ai konstatoi që ishte humbësi i zgjedhjeve në Shqipëri. Z.Rama nuk kishte besim tek vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit, prandaj donte një ligj i cili t’i garantonte në mënyrë absolute atë që kërkonte të realizonte politikisht. Prandaj donte një ligj, i cili t’i jepte me ligj dhe në mënyrë absolute shumicën në komision. Donte një ligj që z.Rama personalisht ta bënte prokuror të vendit, Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”.

Pa miratimit në parim të draftit të Partisë Socialiste, Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë atë nen për nen mbledhjen e të martës./tvklan.al