Mazhoranca dhe opozita kanë përplasur në sallën e Kuvendit qëndrimet e tyre pro dhe kundër projektligjit të propozuar nga socialistët për hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit.

Argumentet juridike ishin ato që i mbajtën palët sërish në pozicione të kundërta.

Për socialistët, hetimi i pakushtëzuar i zgjedhjeve u parashtrua si kusht i panegociueshëm, ndërsa demokratët i mëshuan propozimeve të bëra në Komisionin e Ligjeve për ngritjen e një komisioni hetimor në respekt të Kushtetutës.

Fatmir Xhafa: “Nuk mund të ketë hetim parlamentar për zgjedhje, pa këqyrur dhe vlerësuar atë çfarë përbën thelbin e vetë procesit zgjedhor, kutisë zgjedhore. Gjithçka tjetër do të ishte një akt formal, një ngjarje e paralajmëruar, hetim i dështuar i radhës.”

Viktor Gumi: “Se një komision hetimor parlamentar nuk mund të hetojë vetëm mbi dyshime apo vetëm mbi fakte imagjinare. Asnjë nuk mund të thotë se komisioni hetimor parlamentar duhet të marrë dhe të hetojë çështje të cilat i ka hetuar gjykata, duhet të marrë dhe të hetojë çështje të cilat i ka hetuar Prokuroria.”

Fatmir Xhafa: “Nuk ka asnjë normë të tillë që të ndalojë Komisionin Hetimor të Kuvendit të këqyrë materialin zgjedhor që gjendet në kutitë e votimit. Përkundrazi! Nuk ka asnjë vendim gjyqësor që në përmbajtjen urdhëruese apo në përmbajtjen në tërësi të tij të urdhërojë një ndalim të tillë.”

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Berisha ftoi serish opozitën të pranojë hetimin e zgjedhjeve në respekt të kushtetutës dhe institucioneve të vendit, duke iu ofruar asaj ngritjen e një komisioni hetimor, ku socialistët të kenë shumicën, propozim që, sipas kreut të grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, nuk i shërben kompromisit.

Sali Berisha: “Keni paraqitur çdo lloj falsifikimi, po s’keni nxjerrë dot një komisioner të vetëm, që të thotë se: “Po, më korruptoi filani”. Në qoftë se ju keni fakte për ta kriminelë elektoral urdhëroni mor zotëri. Ne bëjmë çdo ligj këtu dhe çdo amendim të Kushtetutës. Të mobilizojmë 300 prokurorë të tjerë, t’i investojmë si prokurorë dhe të bëjmë procedurat kushtetuese”.

Gramoz Ruçi: “Ne nuk kemi ardhur këtu të dëgjojmë demagogjinë tuaj. Nuk kemi ardhur këtu të dëgjojmë retorikën tuaj dhe nuk kemi ardhur këtu as të provokohemi dhe as të bëni diversion të grupit parlamentar socialist, me socialistë votuesit e tyre dhe komisionerët.”

Sali Berisha: “Hajde dhe i lëmë këto, ta krijojmë komisionin ku ju absolutisht në çdo votim, në çdo votim, nga i pari tek e fundit do të jeni shumicë. Jap këtu një fjalë para çdo shqiptari, dhe firmos vetë. Po ligjin nuk e bëj. Parlamenti edhe mazhorancën se shtyj kurrë ta bëjë. Çfarë kërkoni tjetër ju?”

Gramoz Ruçi: “Ua kemi thënë dhe po ua themi për herë tretë. Ne jemi këtu për të negociuar. Pengesa e moszgjidhjes është vetëm mungesa e seriozitetit dhe e vullnetit tuaj politik.”/tvklan.al