Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Megjithëse në rend dite në komisionin hetimor anti-Rama ka qenë parashikuar të diskutohet mbi abuzimet në rrugën “Punëtorët e Rilindjes”, debatet janë përqendruar në dosjen “Scorpions” të tre ditëve më parë.
Fillimisht janë dëgjuar abuzimet e kryera nga bashkia në dosjen e ditës, ku në preventiv të zgjerimit, të asfaltimit të trotuareve të rrugës “Punëtorët e Rilindjes”, si dhe shtrimit të trotuareve në të dyja krahët e Lanës, nga rruga e “Elbasanit” deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, zërat e punimeve kanë dalë të ndryshme, jo vetëm me zërat e planifikuar, por dhe me shtesën e punimeve të reja, me çmime të pavendosura në ofertën fituese është shprehur kryekomisioneri Olldashi.
Sokol Olldashi:- “Vlera e vjedhur është 25 milion e 568 mijë lekë të reja, në përqindje 58.6%. E dyta, trotuaret e Lanës, plus nyja tek këndi i lojërave, vjedhja është 6 milion e 983 mijë lekë të reja, ose 69 milion lekë të vjetra, në përqindje 27.3%”.
Ndërsa nga anëtarët e PS në këtë komision, janë sjellë argumente ligjor për dosjen “Scorpions”, gjithçka mbi shitjen e biletave, mbi preventivin e asaj kohe për këtë koncert dhe akt-marrëveshjes së Bashkisë së Tiranës me shoqërinë e sigurimeve SIGAL. Komisionerët socialistë mbeten të mendimit, se s’ka marrëveshje huaje të nënshkruar pa interes.
Erion Braçe:- “Ky vendimi që është shkelur Kushtetuta e Shqipërisë, i argumentuar me faktin se Bashkia e Tiranës, ka marrë hua, nga një institucion privat, e ndaluar kjo me ligj, përveç enteve publike, të miratuara me ligj për marrjen e huas, nuk qëndron, sepse marrëveshja që është nënshkruar me kompaninë SIGAL është një marrëveshje figuracioni për të gjithë aktivitetin dhe aspak një marrëveshje kredie, huaje, apo sponsorizim. Akuza e zotit Olldashi, se marrëveshja me SIGAL ka qenë një marrëveshje huaje, duke e provuar këtë me faktin se Bashkia e Tiranës nuk ka pasur aftësi paguese, për të shlyer detyrimet e koncertit të grupit Scorpions, nuk qëndron”.
Sokol Olldashi:- “Për organizimin e dy koncerteve të grupit Scorpions, në shumën prej 45 milion e 500 mijë lekë. Shuma e mësipërme, do të përballohet pa interes nga shoqëria e sigurimeve SIGAL, pra është një borxh dhe nuk është një kredi është një hua dhe jo një kredi”.
Në fund të kësaj seance që përbënte dhe afatin për thirrjen e dëshmitarëve është kërkuar të vendoset menjëherë nga komisioni, nisja e seancave dëgjimore, pasi këtij komisioni i duhen edhe 12 ditë për të përfunduar mandati./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti