Bashkia e Tiranës vazhdon të refuzojë pjesëmarrjen e saj në komisionin hetimor  të ngritur nga mazhoranca për lejet e ndërtimit të dhëna nga bashkia pas vitit 2007.  Kryetari i këtij komisioni Ferdinand Xhaferi, deklaroi se në përgjigje të ftesës për pjesëmarrje në seancë dëgjimore, kryebashkiaku Rama është kundërpërgjigjur se i është drejtuar gjykatës kushtetuese për anti-kushtetutshmërinë e këtij komisioni.

Ferdinand Xhaferri: “Kjo shkresë e zotit Rama është krejtësisht një marrëzi ligjore, sepse është vetëm Gjykata Kushtetuese autoriteti që mund të pengojë apo pezullojë veprimtarinë e komisionit hetimor. Edi Rama si individ nuk mund të pezullojë këtë komision.”

Edhe pse pa prezencën e bashkisë, seanca ka vijuar me dëgjimin e drejtoreshës së Agjencisë së Prokurimeve Publike, e cila fajësoi bashkinë për procedura të gabuara në tenderime, në kundërshtim me ligjin.

Klodiana Cankaj: “Në të gjitha rastet e tenderimeve jo vetëm të ndërtimit të objekteve bashkia operon me procedurën e hapur që është procedura e gabuar në këtë rast pasi ligji detyron procedurën e shërbimit të kosulencës. Bashkia ka gjetur një formë pikëzimi dhe ka bërë një adoptim të dokumenteve të tenderit, duke shkelur ligjin e prokurimit.”

Një nga anëtarët e KRT-së Marin Biçoku, deklaroi se këtij këshilli i janë vënë përpara të shqyrtoj dosje pa ligje, ndërsa problematika kryesore është mungesa e transparencës.

Marin Baçoku: “Është fakt se me gazetarët, media, qytetarët nuk lejohet të marrin pjesë në mbledhjet e KRT-së. Ne marrim vendime për faktet qytetit, por qytetarët nuk janë të informuar. Pikërisht sepse pengohet që debati që bëhet në KRT të jetë publik.”  

 Kjo ishte seanca e tretë e këtij komisioni hetimor./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami