Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Pozita dhe opozita kanë debatuar ashpër sot në komisionin parlamentar të ligjeve, për ndarjen administrative të Tiranës. Ministri i Pushtetit Lokal Bashkim Fino tha, se po miratojmë me ligj ndarjet administrative, që Partia Demokratike i ka kryer me vendime qeverie në vitin 1992 dhe në vitin 1996, nga ish-kryebashkiaku Sali Kelmendi.

Fino replikoi me deputetin demokrat Sandër Uldedaj, se qeveria nuk po kryen ndryshime të reja kufijsh të komunave apo bashkive. Sipas Finos, ndarja e vendit në 309 komunat, 65 bashki, e 36 rrethe, do të ndryshojë në vitet 2000-2003 me rindarjen e plotë të territorit të Shqipërisë, ku mund të bëhen bashkime komunash, apo bashkish.

Bashkim Fino tha, se ndarja e Tiranës me ligj në 11 njësi administrative nuk është antikushtetuese, pasi bazohet në ndarjen aktuale, por me ndryshimin se 11 kryetarët e njësive administrative do të zgjidhen me votat e popullit dhe jo nga kryebashkiaku siç ka ndodhur me Kelmendin apo Brojkën./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame