Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Komisioni parlamentar i ligjeve ka rrëzuar me argumente juridik vërejtjet e Partisë Demokratike mbi projektin e ndarjes së zonave elektorale. Sipas kryetares të këtij komisioni Zmira Çaka, nenet e trajtuara në vërejtjet e demokratëve flasin për zgjedhjet e mëvonshme vendore, apo parlamentare.

Çaka citoi nenet 154 dhe 157, në kodin elektoral në dispozitat tranzitore listat e votuesve dhe zonat elektorale, duke pasur parasysh kohën e shkurtër për zhvillimin e zgjedhjeve vendore Tetor 2000 dhe për zgjedhjet parlamentare 2001.

Zmira Çaka:- “Neni 157/a i kodit zgjedhor, në mënyrë taksative përcakton, se komisioni i kufijve të zonave, përdor të dhënat e regjistrit kombëtar të zgjedhjeve të miratuara nga KQZ, për zgjedhjet vendore 2000. Raporti përfundimtar po sipas kodit zgjedhor i paraqitet Kuvendit jo më vonë se 15 Janari 2001 dhe ligji për zonat zgjedhore, miratohet nga Kuvendi jo më vonë se 28 Shkurti 2001”.

Ndërkohë për dy vendet vakante në KQZ, kompetencë e KLD-së, në vend të ish-kryetarit Nano dhe ish-zv/kryetares Arbi, janë paraqitur deri tani vetëm dy kandidat jurist. Kandidaturat e tjera mund të shpallen në Konferencën Gjyqësore më 9 Shkurt./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame