Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nga anëtarët e komisionit për reformën zgjedhore, janë shqyrtuar dy variantet e hedhura nga grupi i ekspertëve të OSBE-së. Edhe pse janë paraqitur 4 variante, dy prej tyre nuk janë marrë në konsideratë, pasi nuk mund të realizoheshin për zgjedhjet e 2005.

Varianti i parë propozon ndryshimin e nenit 154 të Kushtetutës, që sjell reduktimin e numrit në 6 anëtarë të KQZ, por kjo mënyrë është kundërshtuar nga pala socialiste, pasi ndryshimet në Kushtetutë kanë vështirësi. Një formë tjetër është ai i ndryshimit të nenit 22 të kodit dhe listimi i dispozitave kalimtare, që rregullojnë mbarimin e parakohshëm të anëtarëve aktualë dhe sigurojnë rotacionin në çdo tre vjet. Ky variant është quajtur antikushtetues nga socialistët, pasi anëtarët e KQZ kanë mandate 7-vjeçare dhe janë të veshur me imunitet, gjë që është e përcaktuar dhe me ligj, ndaj heqja e mandatit bie ndesh me Kushtetutën.

Ylli Bufi: “Ne jemi për ndryshimin e neneve që lidhen me përbërjen e KQZ. Po e përsërisë edhe një herë ne jemi për ndryshimin e neneve të kodit elektoral, të kodit zgjedhor, që lidhen me përbërjen e KQZ, por për formulimet ndajmë mendime të ndryshme. Duam një komision, ku numri i përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës të jetë afërsisht i njëjtë, bile mundësisht i njëjtë”.

Jemin Gjana: “Në qoftë se ju doni që ne t’i hyjmë reforme tërësore, absolutisht brenda një muaji gjithçka mbyllet, vetëm se do vullnet, shfaqeni këtë vullnet, vullneti jonë është i plotë”.

Mbledhja nuk arriti në një konkluzion të përbashkët. Anëtarët opozitarë u afruan drejt variantit për ndryshime në Kushtetutë, ndërsa socialistët kërkuan variant të ri nga grupi i ekspertëve./tvklan.al