Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Komisioni parlamentar për Rendin dhe SHISH ka thirrur në mbledhjen e fundit ministrin Igli Toska, ku me dyer të mbyllura është kërkuar informacion në lidhje me një letër të ish-kryeministrit Meta.
Dy javë më parë Ilir Meta iu drejtua me një letër presidentit, parlamentit dhe trupit diplomatik në Shqipëri, ku njoftonte se me porosi të Nanos, po përgatitej nga drejtori i policisë kriminale dhe kryeinspektori i SHISH, një seri sulmesh, incidentesh, aktesh terroriste ndaj tij, bashkëshortes dhe bashkëpunëtorëve në politikë.
Pas mbledhjes me dyer të mbyllura, kryetari i këtij komisioni Neritan Ceka, ka shprehur se duhen urdhëruar strukturat e rendit, të mbrojnë në mënyrë të veçantë ish-zv/kryeministrin.
Neritan Ceka:- “Zoti Ilir Meta i është drejtuar dhe komisionit, i cili e mori këtë letër në shqyrtim, kërkoi shpjegim nga ministri Toska, i cili tha, që nuk ka asnjë fakt i cili provon implikimet e policisë në kërcënimet e zotit Meta, megjithatë janë marrë të gjitha masat në mënyrë që të evitohet dalja nga kontrolli i ndonjë personi dhe nga ana tjetër janë forcuar masat për ruajtjen e zotit Meta dhe të familjes së tij”.
Deputetët e djathtë në këtë komision, i kanë kërkuar ministrit Toska të japë dorëheqje, ose të ndëshkojë ata persona që urdhëruan të shtënat me armë dhe provokimin e turmës në datën 7 Shkurt përpara kryeministrisë.
Shaban Memia:- “Ministri është treguar i paaftë dhe ministria e paaftë për të menaxhuar këtë ngjarje, së dyti, me qëndrimet e tij dhe me faktin që nuk bënë transparencën, ai penalizohet drejtpërdrejt vetë dhe e vetmja rrugë i mbetet të japë dorëheqjen në këtë situatë”.
Pas kërkesave të deputetëve të djathtë është shpjeguar se efektivët e gardës e kanë të drejtën për të përdorur armët në momentet që sulmohen godinat e qeverisë dhe veprimet e gardës janë cilësuar si korrekte./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj