Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Komisioni për reformën zgjedhore do të zhvillojë nesër mbledhjen e tij të parë, ku do të zgjidhen dy bashkëkryetarët një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike. Jemin Gjana anëtari i PD në komision, shprehet se balancimi i KQZ është çështje që duhet të zgjidhet nga forcat politike dhe është kushti kryesor që duhet të pranojnë socialistët, siç është cilësuar edhe në një nga pikat e protokollit.
Jemin Gjana: “Në fakt komisioni i ka numrin e nevojshëm të anëtarëve për të filluar nga puna, sepse janë 10 anëtarë të komisionit, të vendosur tashmë, që s’kanë paraqitur ndonjë deklaratë marrin apo s’marrin pjesë dhe e vetmja pengesë ka qenë fakti që PS e ka shtyrë deri më sot, për të zgjidhur problemet që kanë me të tyret”.
Gazetarja: Është hapur një debat kohët e fundit për balancimin e KQZ.
Jemin Gjana: “Ka ide se mund të shkohet edhe në një ndërhyrje në Kushtetutë tek neni që ka të bëjë me formulën e ndërtimit të komisionit, por për këtë duhet vullnet politik i të gjitha palëve dhe pasi të riformulohet neni 22 i kodit elektoral, që ka të bëjë me procedurat e ndërtimit të KQZ, me një dispozitë tranzitore, ky nen do të behët funksional”.
Nga aleatët e djathtë, e të majtë do të marrin pjesë vetëm reformatorët, që do të përfaqësohen me Nard Ndokën.
Nard Ndoka: “Ne do të marrim pjesë në këtë komision, si vëzhgues pranë këtij komisioni, deri në momentin që të shprehet Gjykata Kushtetuese”.
Gazetarja: A nuk është shkelje e vendimit të tryezës të partive të vogla që u morë pak ditë më parë?
Nard Ndoka: “Jo pikërisht edhe tryeza këtë vendosi, që të gjitha partitë parlamentare të marrin pjesë në këtë komision si vëzhgues. Ne nuk marrim me të drejta të plota si anëtarë, megjithëse unë jam një anëtar i këtij komisioni. Do të jem prezent që t’i kërkojë edhe këtij komisioni në fund të fundit që të fillojmë punën mbas shprehjes së Gjykata Kushtetuese”.
Të kontaktuar me telefon, aleancistët, socialdemokratët, PBDNJ, agrarët, republikanët, legalistët, konfirmuan se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e komisionit, duke respektuar në këtë mënyrë vendimin e tryezës së partive të vogla./tvklan.al