Artur Zheji: “Është një dhunim i të drejtës së sovranitetit popullor për t’u shtuar përmes votës.”

Një reagim që mbërriti pas votimit 8 me 1 të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kundër kërkesës për referendum popullor për ndryshime kushtetuese.

Një mbledhje që u zhvillua me tension, replika dhe thirrje të vazhdueshme të kreut të KQZ-së për qetësi.

Mbrojtësit dhe kundërshtarët e referendumit u ndeshën në një pikë thelbësore, nëse kërkesa bën fjalë për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm apo kushtetues.

Shumica vlerësonte se është rasti i këtij të fundit, që sipas tyre, tejkalon kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për interpretim.

Sipas Gjatës neni 177 i Kushtetutës parashikon dhe procedurat e rishikimit të saj si një e drejtë e 1/5-ës së deputetëve të kuvendit.

Çlirim Gjata: “Kemi një procedurë fillestare totalisht jashtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ose më mirë të themi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jashtë juridiksionit të vet”.

Fatmir Kumbaro: “Ndryshimet kushtetuese s’kanë të bëjnë fare me referendumet e përgjithshëm. Do ju rekomandoja komitetin nismëtar ta tërheqë kërkesën, të bëjë një formim tjetër për këtë qëllim që ka”.

Genti Shala, përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në KQZ, ishte i vetmi anëtar që kundërshtoi mënyrën e procedimit të mbledhjes.

Genti Shala: “Nesër duhet absolutisht t’i japim formularin, t’i krijojmë mundësinë të mbledhë ato firma. Në rast se i mbledhin ne do t’i trajtojmë me një tjetër cilësi, atëherë këto janë populli”.

Pak përpara votimit kryetari i komitetit, Zheji, bëri dhe një herë thirrje për reflektim.

Artur Zheji: “Të jeni dhe ju të prekur nga reformat e 21 Prillit. Normalisht keni rast që të tregoni një pavarësi radikale”.

Votimi kundër kërkesës duket se do të adresojë mbrojtësit e mbajtjes së referendumit popullor drejt Gjykatës Kushtetuese./tvklan.al