Punonjësit e kompanisë “Alba Trans” në Tiranë të 3 linjave urbane në kryeqytet, thonë se që nga mesi i muajit Janar 2020 nuk kanë marrë rrogat. Ndërsa tani që jemi në situatën e pandemisë, janë pezulluar nga puna. Ata thonë se po kalojnë një situatë të vështirë dhe nuk e dinë sesi do ta përballojnë.

“Problemi jonë qëndron që ne deri tani nuk kemi marrë gjysmën e Janarit, se një pjesë e bankës është marrë, Shkurti dhe Marsi nuk është marrë. Në kontratë shkruhet që brenda muajit në 15 merret rroga, ne sot jemi më 15 Prill dhe akoma nuk është marrë Marsi. Ndërkohë, Shkurti dhe Janari ekzistojnë pa marrë”.

“Nuk na dhanë asnjë arsye dhe nuk na ka njoftuar asnjë njeri deri më sot, pavarësisht se jemi të izoluar. Nuk ka lajmëruar njeri, as na kanë thënë për punë rroge. Pagesa rregullisht me gjithë kontributet që ne derdhim është 400 mijë Lekë”.

“Na kanë thënë që më datë 30 Mars që jemi të pezulluar për një afat të pacaktuar për shkak të COVID-19”.

Gazetarja e emisionit “Stop” kontaktoi me një përfaqësues të firmës “Alba Trans”, i cili tha se deri në muajin Mars detyrimet e pagave do të shlyhen nga kompania. Më pas punonjësit duhet të marrin “pagën e luftës” nga shteti.

Firma ‘Alba Trans’: Eshtë bërë kërkesë në bankë, te banka, që kemi ne për “garanci sovrane”. Akoma asnjë nga bankat nuk e ka aplikuar, që të vazhdojë të procedojë me dhënien e kësaj garancie. Di, që kompania po pret. Kompanitë e transportit me autobuza, transportit publik, nga data 11 Mars janë bllokuar me urdhër të kryetarit të Bashkisë dhe nga data 24 me urdhër të ministrit të Shëndetësisë. Pra janë aktiviteti zero, ne në këtë moment jemi vetëm roje parku, nuk ka të ardhura. Kjo nënkupton, që marsin është e sigurtë, që gjithsecili do ta marrë nga kompania. Për Prillin e mbrapa pastaj do të merret 40 mijë lekëshi i paketës së dytë, dhe nuk e di si do procedohet pastaj më mbrapa.

Gazetarja: Për Janar-Shkurtin nuk ka informacion?

Firma ‘Alba Trans’: Janar- Shkurt, ç’a janë detyrime, që mund të ketë detyrime kompania te punonjësit, të gjitha do të likujdohen detyrimet, nuk ka lidhje Janar- Shkurt me situatën, që jemi tani. Tani që flasim data 16, të gjithë janë të regjistruar tek lista e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, këtë e kam të sigurt. Pra nuk është heq asnjë.

Gazetarja: Thjesht nuk do t’u jepet rrogë?

Firma ‘Alba Trans’: Po kur s’punohet, si të jepet rrogë?! Garancia sovrane do të merret që të paguajë Marsin të plotë dhe gjithë detyrimet, ç’a ka kompania dhe Marsin të plotë. Pastaj më mbrapa, nuk e di.

Eksperti i  ekonomisë Klodian Muço shprehet se garancia sovrane që duhet të marrë ky biznes, duhet të përdoret për detyrime nga muaji Marsi e në vazhdim. Por deri në muajin Mars, kompania duhet t’i kishte paguar punonjësit. 

Klodian Muço: Ky borxh le të themi është njëlloj si borxhet e tjera që mund të marrë biznesi. Mund të shkojë të aplikojë për një kredi. I vetmi ndryshim nga kreditë e tjera është fakti që në këtë rast biznesi nuk ka nevojë për një garanci. Ky aspekti i kësaj garancie sovrane që del shteti garant për biznesin nuk është se është ndonjë avantazh shumë i madh përsa i përket biznesit. Për më tepër është fakti që si do përdoret kjo? Bizneset kanë nevojë për likuiditet. Ndërsa qeveria ka deklaruar që kjo garanci mund të merret vetëm për arsye për pagesën e pagave që nga momenti i fillimit të krizës edhe në vijim. Deri në 13 Mars biznesi e kishte detyrimin që t’ua paguante rrogat apo sigurimet shoqërore dhe shëndetësore punonjësve të tyre.

Ekspertja e çështjeve sociale Oriola Pampuri mendon se kredia që duhet të marrin bizneset, nuk është zgjidhje. Të gjitha penalizimet, sipas saj, janë në kurriz të familjeve dhe shteti duhet të ndërmarre iniciativa për t’u ardhur në ndihmë.

Oriola Pampuri: 1.3% e GDP që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion për këtë situatë është fare i papërfillshëm. Ata që penalizohen më shumë janë punonjësit sepse bizneset përballë zgjidhjes që i ka dhënë qeveria për të marrë një kredi, kanë zgjedhur që të largojnë punonjësit nga puna, jo t’i shkarkojnë, pra janë ende të punësuar por nuk i paguajnë rrogat. Ata janë kryefamiljarë dhe nuk është çështje thjesht të kenë emrin në atë kompani, të jenë pjesë e asaj kompanie. Ata duan të jenë pjesë e kësaj kompanie në këmbim të një page me të cilën mbajnë familjet e tyre. /tvklan.al