Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kompania e telefonisë celulare Vodafone, shumën e të gjitha mesazheve të datës 1 Janar, me një vlerë prej 4.5 milion lekësh, ka vendosur t’ia dhurojë fshatrave SOS në Shqipëri. Për të dorëzuar këtë shumë, drejtori i përgjithshëm i Vodafone në Shqipëri, Thomas Papaspiro, ka zgjedhur pikërisht ditën e sotme, ku në fshatin SOS në Tiranë është zhvilluar dhe takimi vjetor i asamblesë të përgjithshme të fshatrave SOS në Shqipëri, ku është zgjedhur dhe bordi i ri drejtues i asamblesë.

Anderea Stefal, drejtoresha rajonale e fshatrave SOS në Shqipëri, në emër të të gjithë bordit, ka falënderuar kompaninë e telefonisë celulare Vodafone dhe në mënyrë të veçantë, zotin Papaspiro për mbështetjen që i bën aktiviteteve të kryera nga fshati SOS.

Një falënderim të veçantë për kompaninë Vodafone në emër të bordit të asamblesë, ka bërë dhe presidenti i këtij bordi Osman Metalla. Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Vodafone në Shqipëri u shpreh, se do të ndihmojë dhe në të ardhmen fëmijët e fshatrave SOS. Në fund, të gjithë të pranishmit morën pjesë në një koktej./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka