Një projekt gjigand prej 1.2 miliard eurosh tenton të kthejë Vlorën në portin më të rëndësishëm të rajonit. Bëhet fjalë për ndërtimin e një terminali kontenierësh dhe të një zonë të lirë industriale. Projekti strategjik është prezantuar nga kompania anglo-zvicerane ZUMAX, në prezencë të kryeministrit Berisha dhe disa ministrave, përfaqësues politik nga Kosova dhe Maqedonia si dhe ambasadorë e biznesmenë.
Kreu i ekzekutivit e vlerësoi si projektin më të madh që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, dhe garantoi kompaninë për mbështetje maksimale.
Sali Berisha: “Do të shndërrojë Vlorën në një nga qendrat më të fuqishme detare të Mesdheut, por dhe zonën e lirë në një nga gjeneratorët më të mëdhenj të zhvillimit të Shqipërisë. Ky besim është i vlefshëm sa vetë shuma e madhe 1.2 miliard euro që ju keni vendosur të investoni në projektin tuaj të madh. Dhe ju siguroj se qeveria ime do t’ju mbështesë ju fuqimisht.”
Philip Gorge përfaqësues i kompanisë anglo-zviceriane nuk nguroi të cilësojë Vlorën si Dubain e ardhshëm të Mesdheut.
Philip Gorge: “Ky projekt përfaqëson ndërtimin e portit më të madh të kontenierëve në Mesdheun qendror, do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë dhe rajonit, por do të mundësojë shkëmbimet tregtare dhe Evropën Lindore në detin e Zi. Programi i plotë i investimeve kap një vlerë prej 1.2 miliard eurosh, Besoj tek mbështetja e vazhdueshme e qeverisë shqiptare, mendoj se ekzistojnë të gjitha mundësitë që Vlora të jetë Dubai i vogël në Mesdhe.”
Kjo është skica tredimensionale e portit të kontenierëve në gjirin e Vlorës, ky port është projektuar të ngrihet në 5 etapa, fare pranë një tjetre vepre të rëndësishme e Petroliferës. Nga momenti i miratimit nga qeveria do të duhen edhe 20 muaj që porti të përfundoj së ndërtuari.
Drejtues të kompanisë kanë sqaruar se është përzgjedhur ky vend për shkak të thellësisë optimale që ofron si dhe lidhjet si në rrugë tokësore me korridoret 8 dhe 10 ashtu edhe në rrugë detare me pjesën tjetër të Mesdheut.
Porti do të ketë një kapacitet prej të paktën 3 milion kontenierësh në vit. paralelisht me të do të ngihet edhe një zonë industriale mjaft interes për kompanitë e huaja. /tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro