Zjarret e këtyre ditëve kanë sjellë në vëmendje nevojën për sigurimin e pronës, por shqiptarët renditen të fundit në rajon përsa i takon sigurimit të banesës apo biznesit ndaj rreziqeve natyrore, përfshi zjarrin e përmbytjet.
Kompanitë e sigurimit në vend pohojnë se ndonëse i ofrojnë tregut një paketë të gjerë sigurimesh, shuma e primeve të mbledhura për frymë është deri dhjetë herë më e ulët krahasuar me rajonin.
Klajdi Çitozi: “Sigurimet për frymë sot në Shqipëri janë në nivelin e 15 eurosh për frymë. Kur mesatarja e vendeve të Evropës Juglindore është diku te 100 euro pa kaluar në Evropën Perëndimore që varion nga 2 mijë deri në 2500 euro për frymë. Tregu shqiptar vazhdon të sigurojë vetëm përgjegjësitë që janë të detyrueshme me ligj”.
Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, primet e sigurimit ndaj zjarrit zunë vetëm 10% të totalit të sigurimeve, teksa arritën në rreth 4 milionë euro.
E krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2006, primet e sigurimit ndaj zjarrit janë gati dyfishuar.
Ekspertët e shpjegojnë me këtë me rritjen e investimeve, ashtu edhe me kredidhënien, pasi bankat u kërkojnë klientëve të kenë kolateralin e siguruar.
Klajdi Çitozi: “Kryesisht bizneset që kanë pronarë të huaj sigurohen totalisht. Investimet në këto vitet e fundit kanë pasur një rritje. Edhe sigurimi është rritur. Qytetarët banesat e tyre i sigurojnë vetëm dhe vetëm në rastin kur ata marrin kredi në bankë. Në asnjë rast tjetër nuk sigurojnë, ndryshe nga bizneset që ka biznesmenë të cilët po e ndjejnë nevojën e sigurimit”.
Kompanitë e sigurimit në vend garantojnë kthimin pothuajse total të dëmit të shkaktuar nga zjarri, edhe kur bëhet fjalë për miliona euro, pasi kryejnë risigurim pranë kompanive më prestigjioze evropiane./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro