Ekonomia ka qenë një nga çështjet kryesore të fushatës elektorale të Donald Trump. Biznesi e ka pritur pozitivisht rikthimin e 78-vjeçarit në Shtëpinë e Bardhë, e veçanërisht anëtarët e komunitetit të biznesit në Kinë.

Ata shpresojnë se me administratën e re në SHBA do të nxiten marrëdhëniet tregtare midis dy kombeve. Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shangai, Allan Gabor, beson se administrata e re do të ulë nivelin e tensionit.

“Duket sikur gjithçka është në tryezë, por personalisht do të thoja se shpresojmë vërtetë që fusha e bujqësisë të jetë një zonë ku mund të angazhohemi të gjithë. Për SHBA-në, kjo është një mundësi eksporti prej 29 miliardë dollarësh, ka qenë më e lartë në disa vitet e kaluara, por kjo është shumë thelbësore dhe mendoj se përtej shifrave që i afron njerëzit, sjell në fakt mirëkuptim dhe vlerësim më të mirë për kulturat e ndryshme. Ka shumë përfitime të tjera, përveç anës së parave”.

Pavarësisht optimizmit tek anëtarët e komunitetit të biznesit në Kinë, vendimet e administratës së re të Trump mund të prekin seriozisht ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Si pjesë e planit të tij për të nxitur prodhimin amerikan, Trump u premtoi votuesve se do të vendoste tarifa prej 60% ose më shumë për mallrat nga Kina. Jo vetëm që tarifat që propozohen janë shumë më të larta nga ato të vendosur ndaj Kinës gjatë mandatit të tij të parë, por ekonomia në Kinë, shkruan Reuters, është gjithashtu në një pozitë shumë më të cenueshme.

Kur u pyet se si do të ndikonte kthimi i Trump në Zyrën Ovale në marrëdhëniet SHBA-Kinë, zëdhënësja i ministrisë së Jashtme, Mao Ning, në një konferencë për shtyp në Pekin tha se politika e Kinës ndaj SHBA-së është konsistente.

Klan News