Pak ditë përpara samitit të NATO-s në Strasburg-Keln, kur Shqipëria do të marrë zyrtarisht statusin e anëtarit me të drejta të plota të Aleancës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e cilësoi 4 prillin si ëndrrën historike për Shqipërinë.

Bamir Topi: “Kjo datë do të shënohet në historinë e Shqipërisë, si dita e kthesës së madhe, si çasti i rikthimit të Shqipërisë në vendin që i takon, si aleate e besueshme e demokracisë, e zhvillimit, e mirëqenies dhe e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe pa dyshim kjo është merita e popullit shqiptar dhe e Shqipërisë. Procesi i integrimit natyrisht nuk mbaron me momentin e anëtarësimit në NATO. Përfundimi i kornizës ligjore të nevojshme, së bashku me reformat e sistemit të drejtësi, nga kriteri i domosdoshëm për t’u përmbushur me një vend anëtarë i NATO-s apo një vend që pret të aplikoj për të kandiduar në BE”.

Kreu i shtetit foli edhe për zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat i cilësoi një provë me rendësi të veçantë për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane.

Bamir Topi: “Standardet e kërkuar të zgjedhjeve politike të qershorit, nuk përmbushen vetëm duke ndërtuar vetëm infrastrukturën e nevojshme zgjedhore, por edhe duke bërë një fushatë transparente, programore, vizionare dhe etike. Për të ndërgjegjësuar qytetarët se e vet nëpërmjet votës së lirë, ata mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe ndërtimit të së ardhmes së tyre”.

Këto deklarata presidenti Topi i bëri gjatë konferencës Shqipëria në NATO, të organizuar nga instituti shqiptar për studimet ndërkombëtare dhe këshilli shqiptar për marrëdhëniet me jashtë,  ku ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro