Ka lënë sallën në mënyrë demonstrative duke bojkotuar kështu seancën gjyqësore në ngarkim të të pandehurve në procesin e të ashtuquajturës banda e Lushnjës.
Vladimir Meçe s’ka patur rrugëzgjidhje tjetër veç këtij largimi të pazakonshëm në sallat e gjyqit pas një debati që u zhvillua mes tij dhe kryetares së kësaj seance, gjyqtares Marsela Balili.
Shkak u bë kërkesa e Meçes për përjashtimin e kësaj gjyqtareje nga shqyrtimi gjyqësor me arsyetimin se ka treguar njëanshmëri.
Me kërkesë të prokurorit kjo gjyqtare mori vendimin kolegjial që në sallë të lexohen dëshmitë e katër dëshmitarëve, të cilët janë marrë në pyetje nga ambasadën shqiptare në Athinë.
Mbrojtja e të pandehurve kontestoi këtë vendim të gjykatës me argumentimin se deklarimet e dëshmitarëve të akuzës marrë në selinë diplomatike në Athinë në 2006-tën janë të dyshimta dhe se gjykata duhet të kërkojë thirrjen e tyre në sallën e gjyqit.
Por ajo që ka ndezur më shumë debatin gjykatë-avokat ka qenë dhe fakti se një prej këtyre dëshmitarëve, i quajtur Gramoz Selmani, është person i shpallur në kërkim nga Interpoli për një vrasje dhe se dëshmia e tij dhënë përpara prokurorëve nuk mund të përbëjë një provë për gjykatën./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani