Pas dy ditësh tensionesh të përgjakshme Gjeorgjia ka shpallur gjendjen e luftës.

Parlamenti miratoi dekretin presidencial, i vlefshëm për 15 ditë, i cili i krijon mundësi ushtrisë që të mbledhë të gjithë rezervistët.

Mikheil Saakashvili: “Ne jemi në gjendje të vetëmbrojtjes kundër agresionit të huaj që po vjen nga forcat tokësore, ajrore dhe detare të Federatës Ruse. Presim që komuniteti ndërkombëtar dhe liderët botërorë të reagojnë. Mendoj se ka ardhur koha të lëvizim nga fjalët tek veprat. Ky vend tani po lufton për mbijetesën e vet.”

Rusia, shtoi Saakashvili, me një popullsi prej 146 milion banorësh, po përpiqet të shkatërrojë një komb prej 4.6 milion banorësh duke e krahasuar situatën pushtimin sovjetik të Afganistanit në vitin 1979.

Vendimi i parlamentit gjeorgjian vjen pasi avionët rusë bombarduan Tbilisin duke çuar në evakuimin e parlamentit dhe ndërtesave të tjera qeveritare.

U bombarduan disa objektiva në qytetin e Gorit dhe në atë portual të Potit, ku trupat qeveritare po mobilizohen për të mbështetur forcat e tyre në rajonin e Osetisë Jugore.

Njoftimet bëjnë të ditur se një numër i madh civilësh janë vrarë apo plagosur. Ushtria gjeorgjiane, e cila ka rrëzuar edhe dy avionë rusë, thotë se do të tërheqë 2 mijë trupat e saj nga Iraku për t’iu bashkuar luftimeve në Osetinë e Jugut.

E ndërsa lufta vazhdon po kryhet edhe një betejë propagande. Presidenti gjeorgjian mohon se numri i viktimave në Oseti arrin deri në 1600 të vdekur, por lideri rus, Dimitri Medvedev, thotë se Gjeorgjia është përgjegjëse për vrasjen e mijëra civilëve, një numër që sipas tij arrin në 2 mijë.

Mbi 30 mijë persona sa gjysma e popullsisë e Osetisë së Jugut janë larguar nga vendi, ndërkohë separatistët në Abhkazi, një tjetër provincë problematike, thonë se kanë kryer një sulm me artileri mbi forcat gjeorgjiane në Kodori.

Ndërkaq mbi 50 gazetarë rusë dhe perëndimorë janë bllokuar në Tskhinvali dhe kanë kërkuar çeljen e një korridori emergjence që do të lejojë evakuimin e mbi 200 grave, fëmijëve dhe të moshuarve të bllokuar në një zonë të shkatërruar.

Është ende e paqartë se në kontrollin e kujt është kryeqyteti i Osetisë së Jugut. Gjeorgjianët thonë se kanë epërsi, ndërsa rusët pretendojnë ta kenë çliruar atë.

Ajo çka dihet është se Tskhinvali është shkatërruar. Shumë njerëz po nxirren nga gërmadhat apo godinat në flakë.

Më herët presidenti rus, Dimitri Medvedev, u shpreh se Rusia nuk dëshiron luftë.

Dimitri Medvedev: “Operacioni i paqeruajtësve dhe ushtarëve tanë ka si synim të detyrojë Gjeorgjinë të marrë rrugën e paqes, por dhe të mbrojë popullsinë civile.”

Kryeministri Vladimir Putin është kthyer me urgjencë nga Kina dhe ka vizituar kryeqytetin e Osetisë së Veriut, Vladikavkaz, për të diskutuar mbi fluksin e refugjatëve./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle