Konflikti mes Gjeorgjisë dhe Rusisë mbi provincën e Osetisë së Jugut do të ketë pasoja shumë të rrezikshme dhe mund të kthehet në një problem të madh për Moskën, paralajmëruan pak muaj më parë agjentët sekretë britanikë.
Pas më shumë se dy shekujsh nën sundimin sovjetik Gjeorgjia fitoi pavarësinë në vitin 1991 dhe përvetësoi enklavën autonome të Osetisë duke shkaktuar një valë emigrimi të pjesës dërrmuese të popullsisë drejt veriut të vendit që administrohet nga Rusia.
Gjuha gjeorgjiane u bë gjuhë zyrtare pavarësisht se në Osetinë e Jugut flitej rusishtja. Kjo i dha impulse të fuqishme separatizmit në provincë dhe ushqeu ndjenjat nacionaliste.
Rusia u dha pasaporta shumicës së qytetarëve në Oseti duke i quajtur ata rusë. Me mbështetjen e saj më 28 Nëntor të vitit 1991 Osetia e Jugut u shkëput nga Gjeorgjia dhe me anë të një referendumi popullor u shpall republikë e pavarur e njohur vetëm nga Rusia.
Kjo çoi në një luftë të përgjakshme civile që shkaktoi 1 mijë të vdekur dhe mijëra refugjatë osetianë.
Po me ndërhyrjen e Rusisë në vitin 1992 u arrit një armëpushim në letër, por përleshjet e armatosura vazhduan për vite të tëra me gjithë dërgimin e forcave paqeruajtëse të ndërmjetme për ruajtjen e status quo-së.
Ndonëse Rusia përpiqej sipas Tbilisit aneksonte provincën separatiste propozimi për autonomi të gjerë nga presidenti Sakashvili u refuzua me forcë sidomos pas lajmi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Gjakrat u ndezën kur Shtetet e Bashkuara e bënë të qartë se Gjeorgjia e kishte vendin në NATO e kjo luftë po vjen falë influencës së Vladimir Putinit dhe linjës së ashpër të ushtrisë, por do të jetë e para për presidentin e ri, Dimitri Medvedev.
Gjeorgjia është aleati i vetëm perëndimor në rajon dhe rruga e vetme në Kaukaz për eksportin e gazit dhe naftës jashtë kontrollit të Rusisë.
Nëse ajo arrin të marrë kontrollin e Osetisë së Jugut në sy të Moskës do të jetë një hap mbrapa për influencën e Rusisë jo vetëm në rajon.
Nëse Moska fiton do të jetë një humbje për regjimin properëndimor të Sakazhvilit. Secili skenar, thonë analistët, ka një rezultat të përbashkët, minimin e marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin, përkufizimin e presidencës së Dimitri Medvedev dhe përcaktimin e fatit të furnizimit me energji nga Kaspiku./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle