Konflikti në radhët e demokristianëve vazhdon të marrë të tjera përmasa. Kryetari i PDK-së Nard Ndoka e ka konsideruar pakicë dhe tashmë jo pjesë të partisë, grupin e të larguarve që në kongresin e jashtëzakonshëm e kanë shkarkuar nga detyra.
Nard Ndoka: “Më duhet të bëjë të qartë, se ka marrë fund njëherë e përgjithmonë koha kur PDK ia emëronin kryetarët parti të tjera. Unë do t’i kërkojë nesër kongresit votëbesimin tim dhe këshillit kombëtar si një reflektim edhe ndaj këtyre situatave të pa këndshme.”
Por nga ana tjetër Anton Gurakuqi ka folur si kryetar i Demokristianëve, duke u shprehur, se për këtë parti fillon tashmë një periudhë e re. Madje ai deklaroi se kishte marrë edhe urimet e Ndokës për detyrën e re.
Anton Gurakuqi: “Pata edhe një kënaqësi tjetër sot kur zoti Ndoka më uroi për postin e ri të kryetarit të PDK-së. Ishte një shenjë qytetare nga ana e zotit Ndoka dhe jam këtu sot për t’iu thënë që partia tani do të vazhdojë punën normalisht. Ne në javën e ardhshme kemi një mbledhje të këshillit kombëtar të PDK-së, të gjithë ato që erdhën në PDK për ta shkatërruar këtë parti, për të prishur imazhin e kësaj partie,po e lënë të qetë këtë parti të vazhdojë punën e saj normale.”
Ndërkohë kongresi i PDK-së që do të mbahet të enjten pritet të marrë në analizë zhvillimet e fundit në parti e të dalë me vendimet përkatëse./tvklan.al