Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ashpërsohet konflikti për vendosjen e kryqit gjigand pranë rrugës kombëtare në Qafë Krrabë. Pas protestës së Muftinisë së Elbasanit, kanë reaguar përfaqësuesit e kishës Ortodokse. Sipas At Johan Gjicës, kryqi nuk do të luajë nga vendi edhe pse po bëhen përpjekje për ta hequr.

At Johan Gjica: “Mënyra e largimit të kryqit nuk është komandë e institucioneve të tjera fetare është një diçka që ngrihet si simbol i krishtërimit ortodoks, ngrihet si simbol i disa vendeve të shenjta dhe nuk ka pse të irritohen njerëzit dhe të acarohen, sepse kryqi për neve është simbol shpëtimi dhe të gjithë njerëzit e komunitetit etj, të tregojnë pak tolerancë”.

At Savri Çipi, prifti i kishës së Shën Kollit, tregon se kryqi është vendosur me lejen e autoriteteve vendore dhe shpjegon arsyet e vendosjes së tij.

At Savri Çipi: “Kryqi si simbol i besimit ortodoks është ngritur para një muaji me kërkesën e besimtarëve ortodoks, jo vetëm të fshatrave Fikas dhe Shijon, por të gjithë komunitetit ortodoks të qytetit të Elbasanit. Në atë vend ku është ngritur ky kryq, kanë pas qenë më përpara 5 kisha dhe vendi ku është kryqi ka qenë kisha e Shën Martinit”.

Nënkryetari i këshillit të qarkut, Hysen Godole thotë, se në këshill ka ardhur një kërkesë e Myftinisë së Elbasanit, ku kërkohet të veprohet ligjërisht me kryeqin./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini